Në
Uashington, kandidatët për president në
Shtetet e Bashkuara folën dje në një nga organizatat më të mëdha për mbrojtjen
e të drejtave të hispanikëve. Senatori republikan John McCain dhe ai demokrat
Barack Obama deshën të bënin për vete votuesit hispanikë duke e vënë theksin
tek një çështje e rëndësishme: imigracionin. Analistët politikë parashikojnë që
ky grup të përbëjë një bllok të rëndësishëm votuesish në zgjedhjet e
përgjithshme të nëntorit.
Si senatori McCain, ashtu edhe rivali i
tij demokrat Obama votuan javën e kaluar për të autorizuar ndërtimin e një muri
prej një mijë e njëqind kilometrash përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara
me Meksikën. Por zoti McCain zemëroi shumë
republikanë kur u vu në krye të përpjekjeve për miratimin e një ligji të
hollësishëm për imigracionin.
Paketa u hodh poshtë, pasi kritikët e
saj thanë se ajo ishte në thelb një amnesti për emigrantët.Po dje, duke folur para të njëjtës
organizatë, Senatori Barack Obama theksoi propozimet për t'u dhënë
shtetësinë imigrantëve të paligjshëm.
"Është
e vërtetë, ata shkelën ligjin. Ata duhet të paguajnë një gjobë. Duhet të mësojnë
anglisht. Nuk duhet të marrin shtetësinë para atyre që kanë pritur me durim.
Megjithatë ne duhet t'i vendosim ata në rrugën drejt shtetësisë". - tha zoti Obama
Në zgjedhjet e vitit 2004, Presidenti Bush siguroi mbështetjen e 40 përqind të elektoratit hispanik, një shifër që e ndihmoi të siguronte rizgjedhjen e tij.Kandidatët republikanë për Kongres siguruan vetëm 30 për qind të votave të hispanikëve gjatë zgjedhjeve të vitit 2006, kur demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Seselia Munjoz, është drejtuese në Këshillin Kombëtar La Raza (Rasa), një
organizatë për të drejtat e hispanikëve në Shtetet e Bashkuara.
"Ne
jemi pjesa e elektoratit që po zgjerohet më me shpejtësi. Ne jemi një pjesë e sofistikuar
e elektoratit. Ne kemi krijuar traditën për të votuar për kandidatë nga të dyja
partitë duke u nisur nga çështjet dhe mendimet tona për kandidatët dhe ne kemi
një prani të ndjeshme në shtetet e mëdha. Dhe të gjitha shenjat janë se ky vit
do të përbëjë një rekord përsa i takon pjesëmarrjes në këto zgjedhje".
Uilliam Ramos i takon shoqatës
Kombëtare të Zyrtarëve Hispanikë. Ai tha se një analizë e zgjedhjeve të vitit
2006 tregoi se imigracioni është vetëm njëra nga çështjet që shqetësojnë
votuesit hispanikë.
"Vumë
re se çështjet që shqetësonin elektoratin hispanik ishin po ato që shqetësonin
pjesën tjetër të Amerikës. Arsimi ishte më kryesorja, pastaj vinin punësimi dhe
ekonomia, pronësia e shtëpive dhe lufta në Irak".
Dje zoti McCain tha se përmirësimi i
sistemit arsimor në Amerikë është "sfida e të drejtave civile të kohës sonë".
"Sot,
studimet tregojnë se gjysma e hispanikëve dhe gjysma e afrikano-amerikanëve që
hyjnë në shkollë të mesme nuk diplomohen me shokët e tyre të klasës. Maturantët
amerikanë radhiten pothuajse në fund në krahasim me ata të vendeve të tjera të
industrializuara, në matematikë dhe shkencë. Shumë prindër
druhen se fëmijët e tyre nuk do të kenë të njëjtat shanse që kishin ata. Kjo
është e papranueshme për një vend të madh si Amerika. E papranueshme!" - tha senatori McCain
Zoti Obama, duke folur për arsimin, kritikoi reformat e administratës së Presidentit Bush.
"Amerikanët kanë nevojë për investime
në arsimin e viteve të fëmijërisë, për ta mbyllur hendekun në këtë drejtim dhe
për të siguruar që çdo fëmijë të jetë gati kur fillon shkollën. Nuk duhet të
shpenzojmë më për programe joefektive. Duhet të punësojmë mësues të rinj për
komunitetet tuaj dhe ta bëjmë universitetin të përballueshëm financiarisht".-tha senatori Obama
Një
sondazh i ri mes votuesve hispanikë tregonte se demokrati Obama ka një avantazh
tre me një në krahasim me republikanin McCain. /mm/