Kosovë: Përplasje në koalicionin qeverisës

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës e vlerësoi sot të ngutshëm dhe shkelje të marrëveshjes së partneritetit qeverisës, vendimin e kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, për shkarkimin nga detyra të Zëvendës ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani. Zoti Osmani u shkarkua dje, pas një zënke në Parlamentin e Kosovës, ndërmjet tij dhe Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Vendimi i Kryeministrit ishte siç u tha, përgjigje në përdorimin e fjalëve fyese dhe sjelljeve jo parlamentare. Por, vendimi është kundërshtuar sot nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga radhët e së cilës vjen zoti Osmani, tha Fadil Ferati, nënkryetar i kësaj partie.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës vlerëson se vendim-shkarkimi i zëvendësministrit Osmani nga ana e Kryeministrit të qeverisë së Kosovës, zoti Hashim Thaçi, është "veprim i ngutshëm dhe shkelje e marrëveshjes së partneritetit qeverisës”, tha zoti Ferati.

Kryesia e kësaj partie kërkon që bartësit e marrëveshjes së koalicionit të takohen në kohën më të shpejtë të mundshme për ta shqyrtuar këtë rast, ndërsa deri atëhere, kryesia e trajton çështjen të pazgjidhur. Zoti Ferati tha se para se të merrej çfarëdo vendimi, është dashur të këshillohen partnerët qeverisës dhe të ketë një bashkëveprim.

Por, kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha më herët, se vendimi i tij nuk ka të bëjë me përkatësinë partiake, por me funksionimin e qeverisë së tij.

“Qeveria e Kosovës udhëhiqet prej njerëzve me legjitimitet të plotë qytetar dhe kjo çështje që ju pyetët nuk ka të bëjë fare me emrin, nuk ka të bëjë fare me partine, por ka të bëjë me normat, me rregullat dhe parimet mbi të cilat punoj unë si kryeministër i Kosovës dhe qeveria e Kosovës”, - tha kryeministri Thaçi.


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u bëri thirrje përfaqësuesve të të gjitha institucioneve, që të vetëpërmbahen dhe të veprojnë siç u tha, në pajtim me situatën në të cilën ndodhet vendi.

“Jam mbështetës i gjykimeve racionale për proceset që duhet të zhvillohen në Kosovë dhe të kemi parasysh vërtetë ndjeshmërinë e kohës në të cilën jetojmë, kjo është përgjegjësi e secilit. Unë flas edhe për deputet edhe tek bartësit e funksioneve kyçe e është borxh i ynë që të sillemi në mënyrë më të mirë të mundshme konform legjislacionit në fuqi, respektim e kushtetutës së Kosovës, por edhe normave tjera”, - tha presidenti Sejdiu.

Ngjarja e djeshme shënoi përplasjen më serioze të dy partive politike të koalicionit qeverisës. Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën një marrëveshje për krijimin e koalicionit qeverisës në fillim të këtij viti, pas rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit të kaluar.

Partia Demokratike, për herë të parë, doli fituese në zgjedhje, duke lënë në vendin e dytë rivalen e vjetër, Lidhjen Demokratike të Kosovës, marrëdhëniet me të cilën ishin mjaft të tendosura deri në zgjedhjet e fundit.//lk