Në Shtetet e Bashkuara ekziston një numër i madh organizatash, që ndihmojnë komunitetet e ndryshme etnike. Këto organizata përfaqësojnë diasporën në Amerikë si dhe interesat e vendeve nga ata vijnë. Këto ditë këtu në Uashington u zhvillua një diskutim rreth rolit që luajnë grupet e ndryshme të diasporës në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në vendet nga ata vijnë.
E krijuar në vitin 1996 në valën e fushatës anti-shqiptare të Beogradit në Kosovë, dhe një organizatë fare e re gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, e gjeti veten në pozitë të favorshme për të ndihmuar Kosovën e pas luftës. Drejtori Ekzekutiv i këtij këshilli, Avni Mustafaj, tha se ky këshill përveç funksioneve të shumta në ndihmë të shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, ka edhe një program të tij, Projekti i Shpresës, që ndihmon në përparimin e grave në shoqërinë shqiptare.
“Me mbarimin e luftës në Kosovë, ne u ndeshën me dilemës se ç’mund të bënin për të kontribuar në mjedisin e pas luftës. Duke parë gjithë ndihmën që filloi të vërshonte në atë vend si dhe kriteret e caktuara nga OKB-ja, ne arritëm në përfundimin se ndihma për gratë ishte një fushë ku ne mund të kishim ndikim. Ne bëmë të gjitha përpjekjet që ky projekt të mbështetej financiarisht dhe me kënaqësi them se ai vazhdon për të shtatin vit me radhë dhe 270 veta kanë përfituar nga ky projekt”.
Presidentja e Fondacionit Ukrainas-Amerikan, Nadia Mekanëll, shpreh mendimin se gratë janë një segment i rëndësishëm i shoqërisë, dhe vetë shoqëria mund të përfitojë nga përvoja e grave.
“Gratë janë më shumë sipërmarrëse dhe kjo jo vetëm në sencin e biznesit. Atyre u duhej të balanconin shumë aspekte në jetën e tyre nën sundimin sovjetik, familja nga njëra anë dhe përgjegjësitë jashtë shtëpisë nga ana tjetër. Madje gratë janë gjithashtu më të prirura të ndërmarrin rreziqe, si për shembull hapja e një biznesi të vogël”.
Zoti Mustafaj tha se tani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe ftesës që Shqipëria mori për anëtarësim në NATO, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan duhet të ndryshojë dhe përshtasë rolin dhe misionin e tij.
“Problemi kryesor për Kosovën në të ardhmen e afërt është papunësia. Ne kemi biseduar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe USAID-it se vendi ka nevojë për ndihma të menjëhershme për projekte të tillë si rindërtimi i rrugëve, shkollave, infrastruktura, sepse kështu krijohen vende pune. Ne kemi biseduar edhe me kompani të tjera amerikane, që nxisin ekonominë dhe biznesin në Kosovë dhe në Shqipëri. Në të ardhmen ne do të jemi shumë më aktivë në këtë drejtim”.
Të tre pjesëmarrësit në diskutim ishin të një mendimi se roli dhe misioni i organizatave të tyre ndryshon për t’iu përshtatur situatës në vendet e origjinës.
Ndërsa drejtori Ekzekutiv Mustafaj vlerësoi marrëdhëniet e mira që ka me të gjitha ambasadat dhe qeveritë e vendeve të Ballkanit, ku banojnë shqiptarë, Vlad Smanu, President i Fondacionit Moldavian, objektivi kryesor i të cilit është mbështetja e shoqërisë civile dhe demokracisë në Moldavi, kritikoi qeverinë moldaviane, e cila në vend që të bashkëpunojë me fondacionin, përpiqet të dëmtojë punën e tij.
Në këtë vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara, këto organizata janë të vetëdijshme rreth nevojës për të vazhduar punën që shpesh ka të bëjë drejtëpërdrejtë me qeveritë e vendeve në të dyja anët e Atlantikut.
Zoti Mustafaj tha se organizata e tij do të punonjë me administratën e ardhshme amerikane, në mënyrë që kjo e fundit të njihet sa më shumë me çështjesh shqiptare, ndërkohë që ekziston një avantazh.
“Ne për fat të mirë si shqiptarë, lufta në Kosovë është bërë gjatë administratës demokrate dhe pas ndërimit të administratës në atë republikane, vazhdoi mbështetja për çështjen shqiptare, prandaj ne besojmë se pavarësisht se kush fiton në zgjedhjet e nëntorit, senatori Mekejn apo senatori Obama, mbështetja e Amerikës për shqiptarët në Ballkan do të vazhdojë, madje unë besoj se kjo mbështetje do të shtohet për vetë faktin që Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe Kosova shpalli pavarësinë. Vendet e Ballkanit kanë nevojë të bashkëpunojnë dhe të jenë të lidhur ngushtë me njeri tjetrin në aspektin ekonomik, tani që janë politikisht të pavarur”.
Të tre pjesëmarrësit në diskutim shfaqën shpresën që me punën e tyre të ndihmojnë zhvillimet pozitive në vendet e diasporës. (ze)