Misioni i Kombeve të Bashkuara fillon që nga sot procesin e kalimit të përgjegjësive tek institucionet e vendit dhe misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë i njohur me emrin EULEX.
Shefi i ri i UNMIK-ut Lamberto Xanier tha se me këtë fillon procesi i ristrukturimit të këtij mision, në bazë të planeve të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon. Ky i fundit javën e kaluar shpalli synimin për shkurtimin e UNMIK-ut dhe krijimin e hapësirës për vendosjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Unë e mora dritën jeshile kaq gjatë të pritur nga Nju Jorku, për të filluar me ristrukturimin e UNMIK-ut. Tash janë krijuar kushtet për të filluar periudhën 120 ditëshe të ri konfigurimit të operacioneve dhe ne presim fundin e tetorit për të përmbyllur këtë proces. Kjo do të çojë në shkurtimin thelbësorë të strukturave të UNMIK-ut në ndryshimin e rolit të tij në pajtim me realitetin në terren dhe me rolin që do të luajnë mekanizmat tjerë në terren”, tha zoti Xanieri.
Ai theksoi se këto çështje po i debaton edhe me Misionin e Bashkimit Evropian, KFOR-in dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
Ndryshimi i UNMIK-ut është mirëpritur nga
Prishtina, ndërsa është kundërshtuar nga Beogradi dhe Moska zyrtare. Ky Kundërshtim
ka bërë që UNMIK-u të vazhdojë të mbetet në Kosovë edhe pas përfundimit të
periudhës së re kalimtare 120 ditëshe.
Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë ndryshimet në Kosovë
Beogradi dhe serbët e Kosovës kundërshtojnë pavarësinë
e vendit dhe hyrjen në fuqi të Kushtetutës së saj më 15 qershor. Si kundërpërgjigje
ata kanë paralajmëruar për të shtunën krijimin e Parlamentit të bashkësive të
komunave të Kosovës për të penguar, siç thuhet, krijimin e një shteti të ri
shqiptar në Ballkan. Zoti Xanier tha se nuk dëshiron të dramatizojë këtë çështje
por do ta përcjellë me kujdes për të parë veprimet e mëtejme të atij Parlamenti.
“Nuk do të ketë ndonjë rol operacional dhe është më shumë një veprim simbolik që nuk e ndryshon realitetin në terren. Natyrisht në do ta ndjekim dhe të shohim se çfarë do të thuhet dhe bëhet, por nuk më duket se mund të ketë ndonjë ndikim”, - tha zoti Xanier.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, ndërkaq e cilësoi
të paligjshëm këtë Parlament dhe strukturat që dalin nga veprimet e paligjshme
të një pjese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb.
"Mund te
them se janë struktura ilegale dhe të papranueshme për Institucionet e Kosovës
dhe ato ndërkombëtare dhe se dihet përpjekja e tyre për të destabilizuar
Kosovën. Unë mendojnë se qytetarët e Kosovës e kanë parasysh këtë qasje që e ka
kjo pjesë e serbëve, nuk them të gjithë por kjo pjesë e serbëve dhe të mbesin
në vizionin, në ecjen dhe zhvillimet që kemi pasur deri tash për të mbajtur stabilitetin
e vendit. Natyrisht që nuk na vjen mirë pse ndodhin këso qasjesh krahas krejt
ofertave që janë më gjeneroze të mundshme”, tha presidenti Sejdiu.
Shefi i UNMIK-ut paralajmëroi një vizitë të shpejtë
në veriun e Kosovës, skenë e kundërshtimeve të ashpra ndaj pavarësisë së
vendit, ndërsa është në pritje të formimit të qeverisë së Beogradit për të
filluar siç thuhet lehtësimin e dialogut për zgjidhjen e çështjeve praktike të
interesit të përbashkët. Kjo është edhe një nga detyrat themelore që i mbetet
UNMIK-ut në këto katër muajt e periudhës së re kalimtare në Kosovë.//lk