Në ankand disa nga librat shkencorë dhe filozofikë më me ndikim

Kompania e ankandeve Kristi në Nju Jork ka në dorë kopie të rreth 300 librave dhe dorëshkrimeve ndër më të rëndësishmet në historinë e zhvillimit njerëzor, të cilat kanë ndikuar thellësisht në mënyrën se si e konceptojmë sot botën.

Kompania e ankandeve ka marrë të drejtën për të shitur librat e bibliotekës të Richard Green, një mjek amerikan me banim në Nju Jork, i apasionuar pas astronomisë. Koleksioni i zotit Green përfshin vepra shkencore dhe shkrime filozofike të Galileo Galileit, Nikolla Kopernikut, Albert Ajnshtajnit, Darvinit, Karl Marksit, Isak Njutonit e të tjerë.

Një ndër veprat më të vlefshme të koleksionit është libri i Kopernikut me titull "Mbi Evolucionin e Objekteve Qiellore" i shtypur në vitin 1543, i cili pritet të shitet mbi 1 milion dollarë. Në këtë libër shtrohet për herë të parë ideja se qendra e universit është Dielli dhe jo Toka.

Një tjetër objekt i vlefshëm i koleksionit është një botim i hershëm i veprës Dialogu të Galileo Galileit, që pritet të kapë shifrën 40 mijë deri në 60 mijë dollarë. Richard Green kishte në bibliotekën e tij edhe të vetmen kopie të numratorit telefonik që dihet se ka mbijetuar nga viti 1878, dy vjet pasi Aleksander Bell shpiku telefonin. Sipas përllogaritjeve të kompanisë Kristi, ankandi pritet të grumbullojë rreth 6 milionë dollarë.