Rigjallerohet debati mbi dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara

Një dokumentar i ri me titull “Në derën e shtëpisë së vdekjes” dhe ekzekutimi i vrasësit të dënuar Kevin Grin kanë nxitur përsëri debatet mbi dënimin me vdekje. Pikëpyetje të reja janë ngritur gjatë viteve të fundit në lidhje me dënimin me vdekje në Shtetet e Bashkuara, dhe siç thonë disa zyrtarë, këto dënime mbizotërojnë tek pakicat dhe të varfërit. Nga disa raste të tjera, analizat e ADN-së kanë rezultuar në lirimin e disa të burgosurve, që ishin dënuar me vdekje.

Një të premte në mbrëmje, në shkurt të vitit 1983, një burrë me thikë hyn në një dyqan të Teksasit. Dokumentari “Në derën e shtëpisë së vdekjes” tregon skenën ku punonte një shitëse e vetme. Gruaja që thërriste ishte Vanda Lopez, duke i telefonuar policisë para se të vritej. Pas kësaj, policia arrestoi dhe akuzoi për vrasje, Karlos Deluna, person i dënuar edhe më parë.

I përndershmi Kerëll Piket ishte prift i personave të dënuar me vdekje në Teksas për 13 vjet me radhë. Ai ishte personi që shoqëroi zotin Deluna në dhomën e ekzekutimit në vitin 1989. Zoti Piket thotë se policia e përqëndroi vemendjen tek ish i dënuari, duke mos përfillur provat se një person tjetër mund të kishte kryer krimin. Zoti Piket ishte i pranishëm në 94 ekzekutime. Ai thotë se edhe pse beson se shumë prej tyre ishin fajtorë, asnjeri nuk duhet të dënohet me vdekje.

Ai ia tregon historinë e tij regjizorëve Piter Gilbert dhe Stiv Xhejms. “Ёshtë e vështirë t’i thuash një njeriu, sado i keq qoftë ai, se është koha të vdesësh. Ne ishim 10 hapa larg tavolinës së ekzekutimit. Dhe shumë të dënuar që lidheshin aty me krahët hapur thonin se i dukej sikur ishin në kryq.”

Nëntë vjet më vonë, në një dyqan tjetër në Virxhinia, pronarët e dyqanit panë dy persona të armatosur që hynë brenda dhe hapën zjarr. Patrishia Von u qëllua katër herë dhe u mbyt në gjakun e saj. Bashkëshorti Lourense Von u qëllua dy herë dhe arriti të mbijetonte. Ai ende ka në trupin e tij plumbat e qëlluara nga arma e Kevin Grin dhe thotë se jeta e tij ndryshoi një herë e përgjithmonë. “Shikoni çfarë më ka marrë ai mua. Më ka marrë shoqen time, biznesin, dyqanin, gruan. Dhe ne duhet të paguajmë taksa gjithë jetën për t’u kujdesur për atë.”

Zoti Grin u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në Qendrën e Burgimit të Grinsvil me 27 maj. Zoti Lorense thotë se vrasësi i gruas së tij meritonte të vdiste. Këtë mendim ka edhe vajza e tij, Marsha Braun Von. “Shpresoj që edhe njerëzit që janë kundër dënimit me vdekje, të ndalen dhe të mendojnë pë rnjë moment se si ndihet viktima në atë pozitë. Është gjë e tmerrshme. Gjëja e fundit që shohin ata është arma që u drejtohet. Shpresoj që kjo të mbarojë këtu dhe ne të fillojmë një kapitull të ri duke e ditur se vrasësi i nënës time nuk përbën më kërcënim në mendjet tona.”

Megjithatë, aktivisti kundër dënimit me vdekje, i përndershmi Kerëll Piket këmbëngul se dënimi me vdekje nuk është zgjidhja e duhur. “Fillova të vija re se personat që ekzekutoheshin ishin kryesisht me ngjyrë, shumë prej tyre me sëmundje mendore, dhe gjëja më shqetësuese që fillova të vë re ishte se shumë prej tyre ishin të pafajshëm. Dënimi me vdekje është gabim i pakthyeshëm.”

Megjithatë, Lourense Von dhe Marsha Braun-Von thonë se ky argument nuk është aq bindës sa t’i japë fund dënimit me vdekje për vrasës si Kevin Grin. //bsa//