Khalid Sheikh Mohammed deklaron se kërkon dënimin me vdekje

Personi i akuzuar si organizatori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Khalid Sheikh Mohammed tha në gjyqin ushtarak në bazën amerikane të Gjirit të Guantanamos në Kubë, se ai do që të dënohet me vdekje.

Gjatë një seance gjyqesore, i pandehuri Mohammed refuzoi avokatët e tij dhe tha se do të vetëmbrohej. Ai doli në gjyq së bashku me katër persona të tjerë të akuzuar si bashkëpunëtorë të cilëve iu lexuan akuzat për sulmet që shkaktuan vdekjen e afro 3 mijë vetave. Ata përballen me ekzekutim nëse deklarohen fajtorë.

Të pandehurit janë mbajtur të ndaluar për disa vjet nga qeveria amerikane, në fillim në qendra të fshehta ndalimi të CIA-s dhe aktualisht në bazën detare të Guantanamos. Ata akuzohen për vrasje, konspiracion dhe terrorizëm.

Është hera e parë që anëtarë të publikut i shohin të pandehurit. Gazetarë, avokatë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut janë lejuar që të ndjekin procesin, megjithëse nuk do të bëhen publike as audio, as video dhe as fotografi nga seanca.

Organizatat e të drejtave të njeriut i kanë kritikuar gjykatat duke thënë se ato shkelin të drejtat e të pandehurve, për shkak të të dhënave sekrete që po përdoren ndaj tyre. Por brigadier gjeneral Thomas Hartmann, oficeri i lartë i gjykatës thotë se të dyshuarve do t’u lejohet një mbrojtje e plotë ndaj të gjitha akuzave. //ad//