Kufizimet e eksporteve rrisin çmimin e orizit

Në tregun botëror, çmimi i orizit, ushqimi bazë për gjysmën e popullsisë së planetit, është trefishuar gjatë vitit të fundit. Çmimi standart i orizit të bardhë tailandez të gradës B ka arritur rekordin me një mijë e tridhjetë e tetë dollarë për ton. Po cilat janë disa nga arsyet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të orizit.

Vetëm pak kohë para mbjelljes së kulturave të reja bujqësore, cikloni në Birmani ishte goditja më e fundit ndaj tregut botëror të orizit. Çmimet e larta të ushqimit kanë shkaktuar tashmë protesta në Afrikën Perëndimore, Egjipt dhe Haiti. Kombet e Bashkuara thonë se çmimet e ushqimeve janë rritur 76 përqind gjatë vitit të fundit, por orizi është rritur 300 përqind.

Të shqetësuar se çmimet botërore mund të ndikojnë në tregjet e veta të subvencionuara të orizit, India, Vietnami dhe Kina si dhe disa vende të tjera kanë pakësuar eksportet për të ruajtur furnizimet vendore.

Ky fenomen, thotë Nejtën Çajlds i Departamentit amerikan të Bujqësisë, ka shtuar presionin mbi çmimet. “Nëse do të hiqeshin kufizimet dhe do të kishte oriz në tregjet vendore, atëherë ndikimi nga rritjet e fundit të çmimit nuk do të ishte aq i madh.”

Zoti Çajlds beson se çmimet do të uleshin nëse do të hiqeshin kufizimet e eksportit. Megjithatë, ai shton se ka edhe arsye të tjera në rritjen tej mase të çmimit të orizit. “Çmimi i orizit, ashtu sikurse i mallrave të tjera të konsumit po rritet. Ndoshta ka dy faktorë që ndikojnë: rritja e të ardhurave, e cila rrit kërkesën dhe çmimet shumë më të larta të naftës.”

Çuditërisht, prodhimi global i orizit është në nivel rekord. Megjithatë, furnizimet botërore të orizit kanë rënë. Endrju Eronson është analist i mallrave të konsumit në Uashington. “Rezervat janë rritur gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, ato nuk janë ende në nivelin e duhur.”

93 përqind e orizit botëror konsumohet pranë vendeve ku prodhohet dhe nuk arrin të hyjë në tregun botëror. Sasia e orizit që u ofrohet importuesve të mëdhenj si Filipineve dhe Nigerisë është zvogëluar. “Tregtia botërore e orizit do të jetë rreth 27 milion ton për vitin 2009. Por po të kthehesh pas në 2007-ën, tregëtia ishte mbi 30 milion ton. Pra kufizimet e eksportit po ndikojnë tek tregtia.”

Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë thotë se kufizimet e eksporteve, çmimet rekord të naftës dhe kërkesa e lartë tregojnë se çmimet e orizit ka të ngjarë që të vazhdojnë të jenë të larta. //bsa//