Parlamenti i Kosovës ka vendosur që votimin e projektligjit për festat zyrtare ta shtyjë për seancën e radhës e cila pritet të mbahet të premten. Kjo për arsyen se deputetët nuk kanë pranuar të votojnë projektligjin e paraqitur nga qeveria i cili përshin njëmbëdhjetë festa kombëtare e fetare, por nuk përfshinë disa nga festat tradicionale.
Deputetët e Parlamentit kanë kërkuar që në projektligjin për festat zyrtare të përfshihen edhe 12 qershori, dita e hyrjes së forcave të NATO-s e që shënohet si ditë e çlirimit të Kosovës, Dita e të Rënëve dhe 28 nëntori, dita e pavarësisë së Shqipërisë që në Kosovë kremtohet si festë e flamurit kombëtar shqiptar.
Projektligji me vërejtjet e deputetëve do të përpunohet nga i ashtuquajturi komision "ad-hock" i parlamentit. Anëtari i këtij komisioni, Lutfi Hazitri, duke arsyetuar kërkesat e deputetëve, tha se ligji do të plotësohet për aq sa lejojnë standardet . “ Do të ketë më shumë se njëmbëdhjetë festa zyrtare, për aq sa lejon standardet, dhe për aq sa preambula kërkon, bazuar në vlera historike dhe kombëtare, natyrisht se do të përfshihen edhe data të veçanta”.
Sipas zotit Haziri, përveç kërkesës së deputetëve shqiptar që përbëjnë shumicën në Parlament, edhe deputetë të komuniteteve të tjera kanë kërkuar që në kalendarin festiv të futen edhe festat të tjera.
Mospërfshirja e festave si ajo e 28 nëntorit, dhe ditës së çlirimit të Kosovës në listën e festave zyrtare ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Qytetarët shprehen të shqetësuar me idenë që dita e flamurit kombëtar shqiptar të mos jetë festë zyrtare në Kosovë. “Ne populli shqiptarë, me i heq vet simbolet e historisë sonë është e pakuptimtë. Ai që ka marrë iniciativë për një ligj të tillë nuk e di se çka mendon, apo kush e ka shtyrë të merr një vendim të tillë. Festat kombëtare, kultura shqiptare, ajo duhet të përcillet brez pas brezi e jo që sipas situatave të ndryshme edhe ajo të ndryshohet”, tha Sherif Blaka, qytetar nga Peja.
Salih Salihu, qytetar nga Prishtina , thotë ndërkaq se askush nuk mund t’i heq festat kombëtare. “ Ne do t’i festojmë festat tona kombëtare”, tha zoti Salihu. “ Mendoj se do të jetë gabimi i Parlamentit nëse e miratojnë ligjin të tillë, pra pa i përfshirë edhe festat kombëtare. Besoj se do ë votohet që edhe 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Kosovë”, thotë Ilir Neziri, qytetar.
Deputetët e parlamentit të Kosovës, miratuan sot pesë projektligje që dalin nga propozimi i presidentit Martti Ahtisaarit, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen se, nuk do ta miratojnë projektligjin për festat shtetërore nëse aty nuk hynë edhe propozimet për disa nga festat tradicionale. //rd//