Deputetët e Parlamentit të Kosovës miratuan në parim 6 projektligje që dalin nga propozimi i presidentit Maarti Ahtisari, mes të cilëve edhe projektligjin për festat zyrtare në Kosovë. Ky projektligj, i cili përshin 11 festa kombëtare e fetare, nuk përfshin disa nga festat tradicionale.
Deputetët e Parlamentit e miratuan në parim këtë projektligj, por me debate e kërkesa që në të të përfshihen edhe 12 qershori, dita e hyrjes së forcave të NATO-s e që shënohet si ditë e Çlirimit të Kosovës, Dita e të rënëve dhe 28 Nëntori, dita e pavarësisë së Shqipërisë që në Kosovë kremtohet si festë e Flamurit kombëtar shqiptar. Në projektligjin e qeverisë janë përfshirë viti i ri, dita e pavarësisë së Kosovës, ajo e miratimit të kushtetutës, një maji si ditë e punëtorëve, 9 maji si ditë e Evropës si dhe nga dy festa për secilin nga besimet fetare, myslimane, katolike dhe ortodokse.
Sabri Hamiti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se në projektligj nuk përfshihet në mënyrë thelbësore ajo që quhet histori, kulturë dhe traditë e Kosovës.
“Kemi kërkuar për hir të historisë, traditës dhe kulturës së popullit të Kosovës, që të kemi festën e lirisë, ditën e të rënëve, dhe festën e flamurit shqiptar, 28 nëntorin, për shkak se ajo është pjesa kulturore dhe e traditës, por edhe e historisë, që e përcakton një sensibilitet kulturor, nacional dhe të traditës së shqiptarëve në Kosovë të cilët përbëjnë 95 përqindëshin”, tha zoti Hamiti.
Deputetët e opozitës kishin po ashtu mjaft vërejtje në projektligjin për festat zyrtare që sipas Naim Malokut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është i plotë.
“Ne e miratuam ligjin në parim me vërejtjet që dhanë grupet parlamentare, ishim unanim në vërejtjet, pra inkorporimin edhe të tri festave të tjera në ligj, dhe nesër nëse këto festa nuk inkorporohen, atëherë duhet të merremi vesh grupet parlamentare dhe të vendosim për ligjin”, tha zoti Maloku, deputet nga radhët e AAK-së.
Një pjesë e deputetëve të opozitës madje kanë bojkotuar mbledhjen e Parlamentit duke kundërshtuar ashpër projektligjin. Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, tha se në projektligj nuk janë përfshirë datat më të rëndësishme të popullit të Kosovës.
“Ne nuk duhet të harrojmë se kush është populli shumicë në Kosovë, dhe konkretisht dita e çlirimit të Kosovës, dita e dëshmorëve dhe 28 nëntorit si ditë e flamurit kombëtar”, tha deputeti Naser Rugova.
Projektligji për festat zyrtare është paraqitur dje nga qeveria për t’u hedhur sot në votim në Parlament, si pjesë e ligjeve që dalin nga plani i zotit Ahtisaari që po miratohen me procedurë të shpejtuar. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, thotë se vetë deputetët e parlamentit e kanë votuar mënyrën sesi procedohen ligjet që dalin nga ku plan.
“Këto ligje janë ligje në të cilat të gjitha partitë politike në një mënyrë kanë marrë pjesë dhe kanë marrë përgjegjësitë e tyre, megjithatë, konsiderojmë se është e drejtë e deputetëve të kërkojnë rishqyrtimin e ligjit, dhe është e drejtë që Kosova të ketë më shumë festa kombëtare të traditës, të kulturës dhe të historisë”, tha zoti Krasniqi.
Duke u përgjigjur në shqetësimet e deputetëve kryeministri i vendit Hashim Thaçi tha se pavarësia e Kosovës është shpallur mbi bazën e planit të zotit Ahtisaari, prandaj Kosova do t’i ketë festat e saj zyrtare në pajtim me këtë plan.
“Ne do t’i festojmë festat tona kombëtare. Ato janë festa të cilat nuk mund të largohen nga agjenda jonë, në të njëjtën kohë, do të vazhdohet me festime edhe për festën e flamurit, edhe për ditën e dëshmorëve, edhe për ditën e çlirimit. Do të vazhdojmë edhe me respektimin e agjendës shtetërore. Sot Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe multi-etnik”, tha kryeministri Thaçi.
Një pjesë e deputetëve kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të votojnë në shqyrtimin e dytë të projektligjit që pritet të ndodhë nesër nëse nuk shtohen në projektligj disa nga propozimet me theks të veçantë në 12 qershorin dhe 28 nëntorin.