Liban - Luftimet fillojnë përsëri në qytetin port të Tripolit

Zyrtarë libanezë të sigurisë thonë se në qytetin-port të Tripolit në veri të vendit, kanë shpërthyer luftime për herë të dytë, mes përkrahësve të qeverisë libaneze që ka mbështetjen e Perëndimit dhe militantëve pro-Hezbollahut.

Luftimet e sotme pasojnë përleshjet e ashpëra dje në malet përreth Beirutit, mes përkrahësve të udhëheqësit pro-qeveritar të sektit Druzh, Walid Jumblatt dhe luftëtarëve të opozitës, të grupit shiit Hezbollah. Të paktën 11 vetë u vranë në luftimet e djeshme në rajonin Aley, para se një marrëveshje për ndalimin e luftimeve të hynte në fuqi.

Numri i të vdekurve gjatë këtyre ditëve me përleshje ka arritur në të paktën 58 vetë dhe dhjetra të tjerë janë plagosur. Ndërkaq një qetësi e nderë mbizotëroi sot në Bejrut, ndërkohë që udhëheqësit e grupeve rivale përgatiten për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion të Lidhjes Arabe që mbërrin nesër. //bsa//