BE-ja bën thirrje për rritjen e ndihmave për vendet në zhvillim

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të rrisin ndihmat për vendet në zhvillim, në mënyrë që të përmbushin angazhimin për të ulur në mënyrë të ndjeshme varfërinë ekstreme brenda vitit 2015.

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barrozo tha sot në një konferencë për shtyp në Bruksel se shifrat e fundit të ndihmave tregojnë “prirje shqetësuese dhe të rrezikshme” siç u shpreh ai. Ai u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të hartojnë plane për të përmbushur objektivat vjetore për ndihmat.

Bashkimi Evropian është donatori më i madh i ndihmave në botë. Por statistikat e fundit tregojnë se nivelet e ndihmave të Bashkimit kanë rënë gjatë vitit të kaluar për herë të parë që nga momenti kur blloku ndërmori angazhimin për të rritur shpenzimet vjetore për ndihmat në vitin 2000. Shifrat e donacioneve të Bashkimit Evropian në vitin 2007 ranë në rreth 72 miliardë dollarë krahasuar me 75 miliardë dollarë në vitin 2006. //rd//