Komandanti më i lartë i forcave të koalicionit në Irak dhe ambasadori amerikan në Bagdat do të dëshmojnë sot dhe nesër në Uashington përpara katër komisioneve të Kongresit, ku do të japin një informacion mbi gjendjen e sigurisë dhe atë politike, si dhe do të thonë se çfarë parashikojnë për gjashtë muajt e ardhshëm.
Parashikohet që Gjenerali David Petreas dhe Ambasadori amerikan, Rajan Kroker të raportojnë përparime të ndjeshme të bëra nga forcat e sigurimit dhe qeveria irakiane që nga shtatori i kaluar kur ata u thirrën për të dëshmuar në Kongres. Por pritet gjithashtu që ata të thonë se përparimi është i brishtë dhe se do të duhet më shumë kohë me një numër të konsiderueshëm trupash amerikane në vend për të vazhduar ecjen drejt stabilitetit.
Nuk pritet që Gjenerali Petreas të ndryshojë shumë nga qëndrimi i mbajtur prej tij në shtator.“Gjithashtu besoj se me kalimin e kohës, është e mundur të arrijmë objektivat tona në Irak, megjithëse arritja e tyre nuk do të jetë e shpejtë dhe e lehtë.”
Zyrtarë dhe ushtarakë të lartë thanë se presin që gjenerali Petreas të mbështesë idenë që deri në korrik t’i jepet fund shtimit të përkohshëm të trupave, siç është planifikuar, nëse deri në atë kohë nuk do të ketë keqësim të gjendjes së sigurisë. Kjo do të bëjë që numri i trupave amerikane në Irak të mbetet rreth 140 mijë.
Por, zyrtarët thanë se pas korrikut do të ketë një pauzë në pakësimin e trupave amerikane, pasi do të pritet për një vlerësim tjetër nga Gjenerali Petreas, pra nëse kthimi i trupave mund të vazhdojë pa rrezikuar përparimet e arritura. Presidenti Bush i tha Gjeneralit Petreas se, në qoftë se duhet, ai mund të ulë ritmin e tërheqjes së trupave shtesë dhe në një fjalim të mbajtur muajin e kaluar me rastin e pesë vjetorit të fillimit të luftës, Presidenti theksoi se ai nuk do të shpejtohet për të rifilluar tërheqjen e trupave pas ndërprerjes.“E kemi mësuar nga përvoja e vështirë se çfarë ndodh kur i tërheqim shumë shpejt forcat. Terroristët dhe ekstremistët marrin forca, mbushin boshllëkun, krijojnë qendrat e tyre dhe i përdorin ato për të krijuar kaos dhe bërë masakra. Gjenerali Petreas ka paralajmëruar se një ulje e shpejtë e numrit të trupave mund të krijojë një çthurje të tillë.”
Askush nuk mund të thotë se sa do të vazhdojë pauza në tërheqjen e trupave.
Disa zyrtarë janë shprehur për një periudhë 1 ose 2 mujore dhe thonë se edhe pas kësaj nuk presin ndonjë tërheqje masive trupash. Analistja Mishell Flaurnoi në Qendrën për një Sigurim të Ri të Amerikës sapo është kthyer nga Iraku pas një qëndrimi prej disa javësh.“Nuk kam ndonjë ide për këtë. Mendoj se padyshim janë disa njerëz që do të donin të shihnin një lloj vazhdimësie në tërheqje në qoftë se kjo nuk do të dëmtojë stabilitetin. Nuk kam dëgjuar shifra, por mendoj se do të jetë një numër më i vogël nga ai që kërkohet.”
Nuk pritet që gjatë dëshmisë së tyre këtë javë, Gjenerali Petreas dhe Ambasadori Kroker të japin ndonjë shifër. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Frato tha se kur ata të përfundojnë së dëshmuari, Presidenti Bush do të ofrojë mendimet e tij, por as nga ai nuk pritet të flitet për shifra. //ii