Udhëheqësit politikë të Kosovës firmosën sot dokumentin e Kushtetutës së vendit e cila e përcakton Kosovën si republikë Parlamentare me shkallë të lartë të garantimit të të drejtave të pakicave kombëtare.
Ky dokument pritet që gjatë ditëve të ardhshme të miratohet nga Parlamenti i Kosovës, ndërsa do të hyjë në fuqi më 15 qershor të këtij viti. Më herët ajo është nënshkruar nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar Piter Faith, i cili ditën e sotme e vlerësoi me rëndësi historike për Kosovën.
Zoti Faith tha se "dokumenti është në pajtim me procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe përmban dispozitat më të rëndësishme për decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve. Kjo do të ndihmojë vendin që të jetë më afër Bashkimit Evropian", tha zoti Faith.
Presidenti I Kosovës Fatmir Sejdiu tha se Projekt-kushtetuta e Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të saj për të zbatuar në tërësi propozimin e Martti Ahtisaarit, dhe në veçanti dispozitat që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, të drejta të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe që janë bazë e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, ky tekst, i cili përcakton se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, konfirmon gatishmërinë tonë që t'i mbrojmë ato me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutën që po e miratojmë dhe me ligj, dhe së bashku me miqtë tanë me të cilët jemi në partneritet të plotë për paqe dhe siguri”, tha presidenti Sejdiu.
Kryeministri I vendit, Hashim Thaçi, tha se me veprimin e sotëm është legjitimuar akti i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, sovran e shumetnik.
“Kushtetuta është identiteti ynë- sepse populli ynë ka luftuar gjatë për lirinë. Kjo Kushtetutë është dokumenti i garantimit të Lirisë. Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë.Kjo Kushtetutë është dokumenti, është vula e shtetit të Kosovës”, tha kryeministri Thaci.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se kushtetuta është akt kulmor politik e juridik i shtetit të Kosovës. “Është e natyrshme që është hartimin e kësaj kushtetute, kompromisi e përshkon si një fill i kuq. Është ky kompromis që i ka hapur të gjitha portat e së ardhmes për këtë vend dhe qytetarët e saj. Në politikë, kompromisi legjitimon lirinë, paqen, zhvillimin”, tha zoti Krasniqi
Nënshkrimi i kushtetutës ndodhi më pak së dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës që u prit me zemërim nga Beogradi dhe serbët lokal. Pavarësia është njohur deri tash nga 38 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. //iç//