Kina përcjell zyrtarisht Pishtarin Olimpik në Sheshin Tienanmen

Presidenti i Kinës Hu Gjintao hapi sot zyrtarisht etapën e përcjelljes së Pishtarit Olimpik në një ceremoni të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie dhe të shoqëruar me festime në Sheshin Tienanmen të Pekinit.

Zoti Hu ndezi flakën olimpike në sheshin Tienanmen, para se t’ia kalonte pishtarin kampionit kinez të vrapimit me pengesa, Liu Xiang. Në ceremonitë e organizuara me këtë rast ishin përfshirë edhe valltarë nga pakica etnike dhe studentë. Flaka olimpike mbërriti nga Greqia, ku tibetianë në mërgim dhe aktivistë për të drejtat e njeriut u përpoqën pa sukses të ndërprisnin ceremoninë e dorëzimit të pishtarit.

Protestuesit kanë ndërprerë disa herë përcjelljen e pishtarit që kur filloi javën e kaluar dhe pritet të vazhdojnë protestat, ndërkohë që pishtari kalon në qytete të ndryshme të botës në përgatitje për Lojrat Olimpike të Pekinit, që fillojnë në gusht.//lk