Kryeqyteti tibetian Lasa nën masa të rrepta sigurie

Në kryeqytetin tibetian Lasa skadoi në mesnati afati kohor që kishin caktuar autoritetet, të cilat kishin paralajmëruar protestuesit të dorëzoheshin për të shmangur ndëshkime të rënda.

Dëshmitarët thonë se qyteti Lasa është nën masa të rrepta sigurie dhe se kushdo që del në rrugë pa leje do të arrestohet. Trupat po patrullojnë rrugët dhe autoritetet vazhdojnë bastisjet shtëpi më shtëpi në kërkim të personave që u angazhuan në protestat e javës së kaluar që filluan në paqe por u shndërruan në akte dhune.

Fushata Ndërkombëtare për Tibetin me bazë në Shtetet e Bashkuara thotë se banorët i tremben operacioneve të mundshme ushtarake pas skadimit të afatit të mesnatës. Ndërkohë, protestat janë përhapur në qytete të tjera të Tibetit.

Më parë sot, guvernatori i Tibetit Qiangba Puncog tha se ata që dorëzoheshin para skadimit të afatit dhe ofronin informata do të trajtoheshin më butë.

Kina thotë se protestuesit shkaktuan vdekjen e 13 civilëve të pafajshëm gjatë protestave në Lasa, por grupe tibetiane që veprojnë jashtë vendit thonë se të paktën 80 tibetianë u vranë. Nuk ka pasur konfirmim të numrit të viktimave. //bsa//