Serbët në Beograd dhe serbët e Kosovës në Graçanicë reaguan sot ndaj rënies së qeverisë së Serbisë.
Në Beograd sot në mëngjes gazetat kishin si titull kryesor rënien e qeverisë. Megjithatë serbët duket se janë të ndarë në idenë se rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhjet e ardhëshme mund të ndryshojnë peisazhin politik të vendit. “Asnjë nuk mund të ndryshojë. Çdo gjë do të jetë njëlloj”, thotë një banor.
"Pres që Koshtunica të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë. Mendoj se duhet të formonin një qeveri të pakicës. Ajo do të ishte më e mira pasi tani është kohë kritike dhe na duhet të luftojmë për Kosovën”, thotë një tjetër.
Qeveria Koshtunica u rrëzua dje pas përplasjeve midis kryeministrit nacionalist dhe presidentit pro-perendimor për ndikimin e pavarësisë së Kosovës mbi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Zoti Koshtunica njoftoi se do të mbledhë nesër qeverinë e përkohëshme e cila do t’i propozojë presidentit Boris Tadiç shpërndarjen e parlamentit dhe do të bëjë thirrje për zgjedhje më 11 maj.
Zoti Tadiç tha përmes një deklarate se është dakord të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Megjithatë zoti Tadiç e ka kundështuar pretendimin e Koshtunicës se përplasja e tyre kishte të bënte me Kosovën.
Në Graçanicë, 10 kilometra në lindje të Prishtinës, atmosfera mes pakicës serbe që jeton aty dukej entusiaste.
Boguljub Stanojeviç, thotë se do t’i ndjekë me vëmendje zgjedhjet e ardhëshme. “Për serbët e Kosovës kjo do të thotë shumë pasi nuk e dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Do të presim të shohim”, thote ai.
Në Prishtinë gazetat kishin gjithashtu rënien e qeverisë Koshtunica si lajmin kryesor si dhe artikuj redaksionalë në faqet e brendshme.
Zgjedhjet e reja në maj pritet të përcaktojnë në se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian apo do të kthehet në izolimin ndërkombëtare të periudhës së Milosheviçit, rrugë që pasqyrohet në politikat konservatore të zotit Koshtunica. //ii