Kandidatët politikë në zgjedhjet presidenciale bëjnë përpjekje të shumta për të tërhequr përkrahjen e politikanëve, grupeve që përfaqësojnë interesa të caktuara apo individëve dhe organizatave të tjera, të cilët mund të fuqizojnë fushatën e kandidatit. Në kuadër të serialit “Si zgjedh Amerika” , këtë radhë ju njohim me rëndësinë që kanë përkrahjet që siguron kandidati si dhe ndikimin që kanë ato tek votuesit.
Moti i ftohtë në Klivland të Ohios është thuajse i padurueshëm. Megjithatë, kjo grua shkon derë më derë për të siguruar përkrahje për kandidatin që ka mbështetur sindikata e saj. Fitorja e këtij kandidati është me rëndësi, dhe jo të ftohtët:
Profesori i shkencave politike Michael McDonald i Universitetit George Mason thotë se përkrahjet politike ndihmojnë votuesit për të kuptuar më mirë kandidatin: "Universiteti Xhorxh Mejson Nëse votuesit nuk kanë shumë informacion për kandidatët, ata bazohen tek përkrahjet që kanë shprehur figura dhe organizata të njohura për të përcaktuar disa nga qendrimet politike të kandidatit".
Për më tepër, këto përkrahje mund të pasqyrojnë forcën e kandidatit dhe cilësi të tjera. Për shembull, kandidatja demokrate Hillari Klinton u përpoq të kapërcente paragjykimet që shoqëronin idenë e një gruaje në postin e presidentes, duke siguruar përkrahje nga 30 admiralë dhe gjeneralë në pension.
Kandidatët mund të kërkojnë të sigurojnë edhe përkrahjen e figurave të famshme të artit, me shpresën që kjo do t’u japë ekspozim më të madh në media dhe ndoshta edhe më shumë votues. Ophrah Winfrey një sipërmarrëse e sukseshme, drejtuese e një emisioni shumë popullor televiziv ka shprehur mbështetje për kandidatin demokrat Barak Obama: "Gjatë viteve kam votuar po aq për kandidatë republikanë, sa edhe demokratë. Këtu nuk bëhet fjalë për besnikëri partiake. Kjo është diçka që e kam shumë për zemër. Jam plotësisht e bindur për Barak Obamën dhe e kam të qartë se çfarë do të bëjë ai për Amerikën".
Përkrahje të tilla janë shumë të vyera në fushatat për grumbullim fondesh, siç shpjegon Ben Ginsberg i Universitetit Johns Hopkins: "Universiteti Xhons Hopkins Ata njerëz që investojnë në fushata, përpiqen të zbulojnë prirjet e përkrahjeve, pasi duan të sigurohen që nuk po i dhurojnë para një kandidati që nuk ka shanse për fitore".
Kandidatët shpesh përpiqen të sigurojnë përkrahjen e rivalëve, të cilët i kanë mundur në zgjedhje paraprake. Një përkrahje e tillë nënkupton më shumë mbështetje nga partia dhe mund të sjellë edhe më shumë votues. Për shembull kandidati republikan Mit Romni pasi u tërhoq nga gara, ia kaloi delegatët që kishte siguruar në garë dhe burimet e fushatës kandidatit McCain. "Kam nderin t’i jap sot përkrahjen time Senatorit Xhon Mekein si kandidat për president i Shteteve të Bashkuara. Unë përkrah zyrtarisht zotin Mekein në këtë garë".
Kandidatët kërkojnë edhe përkrahjen e grupeve që përfaqësojnë interesa të veçanta dhe të sindikatave, pasi përkrahja e tyre shoqërohet me ndihmë në fushatë nga anëtarët e tyre. Pikërisht këtë ndihmë siguroi Senator Obama nga Sindikata Ndërkombëtare e Punonjësve të Shërbimit në Ohio.
Zyrari i kësaj sindikate, Anton Famby, shpjegon: "Aktualisht në Klivland kemi plot anëtarë të angazhuar vullnetarisht në fushatën e Senator Obamës për t’iu përgjigjur telefonatave dhe për të kontaktuar personalisht votuesit". Por shumë analistë politikë thonë se këto përkrahje nuk kanë ndonjë ndikim të madh mbi votuesit dhe se faktorët vendimtarë në zgjedhjen e Presidentit janë karakteri dhe pikëpamjet e kandidatit ndaj çështjeve të rëndësishme. //rd//