Zyrtari më i lartë amerikan për zbulimin thotë se qeveria serbe e urdhëroi policinë që të mos ndërhynte për të ndaluar protestuesit që sulmuan ambasadat e vendeve perëndimore në Beograd, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara pasi ata njohën pavarësinë e Kosovës.
Drejtori i Zbulimit Kombëtar McConnell tha dje para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura se qeveria e Serbisë e udhëzoi policinë të mos ndërhynte në demonstratat e dhunshme në Beograd javën e kaluar.
“Ne kemi informacion të mjaftueshëm se kur Ambasada amerikane, ajo britanike dhe të tjerat u sulmuan, qeveria e Serbisë mori vendimin për ta tërhequr policinë dhe për të lejuar që ato të sulmoheshin, të digjej ambasada dhe të ndërmerreshin aktet e dhunshme”.
Ambasada amerikane në Beograd u rihap dje, afro një javë pasi demonstruesit i vunë zjarrin seksionit të zyrës konsullore, për të protestuar ndaj mbështetjen amerikane kundër pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, në një deklaratë të ambasadës thuhej se seksioni konsullor do të mbetet i mbyllur për një periudhë të pacaktuar.
Zoti McConnell tha se ai parashikon që dhuna të vazhdojë në Serbi në një farë niveli dhe vuri në dyshim vullnetin e qeverisë në Beograd për të kontrolluar trazirat në të ardhmen.
“Forcat që janë aktualisht atje mund të frenojnë një shkallë të ulët dhune. Nëse ajo merr përmasa, ndoshta do të dilte jashtë kontrollit të tyre. Pyetja që shtrohet është se sa e vendosur është udhëheqja e Serbisë dhe a do të nxisë dhunë në një shkallë shumë më të lartë nga ajo që kemi parë deri tani”.
Në të njëjtën seancë, Drejtori i Agjencisë së Zbulimit të Mbrojtjes, Gjeneral Lejtnant Michael Maples shprehu shqetësimin për dhunën e mundshme në veri të Mitrovicës, megjithëse ai tha se paqeruajtësit e NATO-s atje kanë qenë në gjendje të garantojnë një ambjent të sigurt deri tani.
I pyetur për rolin e Rusisë në situatën e krijuar, Drejtori i Zbulimit Kombëtar, McConnell tha se Moska po përpiqet ta tërheqë Serbinë në orbitën e saj dhe përmendi mosmarrëveshjet mes Kryeministrit Vojislav Kostunica dhe Presidentit Boris Tadic për drejtimin e ardhshëm të vendit.
Në raportimin para Komisionit të Senatit, teksti i të cilit ishte publikuar në faqen e internetit të zyrës së zotit McConnell, ai bën një ekspoze të rreziqeve ndaj sigurisë në botë, ku shprehet se gjendja në Ballkan, mendohet të mbetet e paqëndrueshme pas pavarësisë së Kosovës dhe me keqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Bosnje. Shpallja e pavarësisë në Kosovë, thotë zoti McConnell mund të sjellë si rezultat përplasje me serbët që jetojnë në Veri dhe disa masa hakmarrëse nga Beogradi.
Ai shton se ekziston mundësia për dhunë ndëretnike, që do të kërkonte ndërhyrjen e forcave të NATO-s, veçanërisht nëse serbët ndërmarrin hapa provokues për të bllokuar autoritetin e Prishtinës dhe nëse ka dhunë, ajo mund të përhapet në shtetet fqinjë.
Zoti McConnell thotë paralajmëron se pakicat shqiptare në Maqedoni dhe Serbinë Jugore mund të vazhdojnë të kërkojnë më shumë autonomi dhe ekstremistët mund të përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë e publikut dhe të përdorin dhunë në shkallë të ulët për të siguruar mbështetje për bashkimin me Kosovën.//kk//