Eduard Lukas: Rusia dhe strategjia e saj e re në politikën botërore

  • Ivana Kuhar

Rusia ka ndryshuar kursin e saj pro-perendimor dhe Perëndimi duhet të përballet me këtë sfidë, thotë autori i një libri të ri me titull: “Lufta Tjetër e Ftohtë: Si e kërcënon Kremlini Rusinë dhe Perëndimin.” Autori Eduard Lukas thotë se shtypja në Rusinë e Putinit është e shoqëruar me agresionin e tij jashtë vendit. Zoti Lukas i paraqiti pikëpamjet e tij gjatë një seance në Kongresin amerikan.

Për gati tre dekada, gazetari britanik, veterani Eduard Lukas ka mbuluar ngjarjet në Bashkimin Sovjetik dhe në Rusi. Ai thotë se Rusia e sotme nuk është më një shoqëri e mbyllur dhe shton se shumica e rusëve nuk kanë qënë asnjëherë më mirë se sa në tetë vitet e regjimit të Putinit. Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar është gjashtë herë më i lartë se sa në vitin 1999 kur Boris Yeltsini ia dorëzoi pushtetin ish agjentit të KGB-së, Vladimir Putin.

Por përsa u përket të drejtave individuale, rusët kanë paguar shtrenjtë, thotë Lukas: "Nën Putinin ka patur humbje të mëdha përsa i përket transparencës, lirisë dhe legjitimitetit, elementë që janë bazat e një shoqërie të qeverisur sipas ligjit."

Korrespondenti i revistës The Economist mendon se Moska nuk është një armik global i Perëndimit, siç ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Por ai thotë se taktikat e fuqishme të Putinit brenda vendit shoqërohen nga toni i tij gjithnjë e më agresiv në marrëdhëniet me fqinjët e Rusisë. Lukas beson se në vend të rrugëve ushtarake, Kremlini po lufton në këtë Luftë të re të Ftohtë me para, propagandë dhe me “diplomacinë e gazit”.

Ai është i shqetësuar nga verbimi i Perëndimit përballë Rusisë. "Më habit fakti që përpjekjet e Bashkimit Evropian për të patur një politikë të përbashkët energjitike nuk kanë sjellë rezultat. Është e rëndësishme, dhe të gjithë janë dakord, se në se Evropa kërkon të jetë e sigurt duhet të diversifikojë furnizimet e saj me gaz."

Rusia përmbush 60 përqind të nevojave të Evropës për gaz. Megjithatë, thotë Lukas, Bashkimi Evropian nuk ka një politikë të përbashkët energjitike për Rusinë, gjë që i le anëtarët e BE-së të kërkojnë marrëveshje dypalëshe me Moskën, ndonjëherë kundër interesave të vendeve të tjera anëtare.

Sipas zotit Lukas, “politikat e naftësjellësit” janë kontributi më i madh i Putinit në politikën e jashtme ruse pasi kjo i ka dhënë përfitime të papara ekonomike dhe politike. Korrespondenti i The Economist thotë se Kosova është një shembull i ri i politikës ruse përça e sundo.

Lukas vlerëson se mbështetja e Moskës për kundërshtimin serb ndaj paravësisë së mbikëqyrur për Kosovën bazohet më shumë në interesa vetiake, sesa në vlera dhe kode morale: "Mendoj se rusët mund të kenë shkuar tek serbët dhe t’u kenë thënë: Kjo është më e shumta që mund të arrini. Ne do të dërgojmë paqeruajtës rusë për të patrulluar enklavat serbe dhe do t’ju ndihmojmë. Por pastaj Rusia ndryshoi plan, duke preferuar që Kosova të jetë një plagë vazhdimisht e hapur, me të gjitha ndarjet që ajo mund të sjellë në Evropë. Mendoj se mbështetja ruse për Serbinë është krejtësisht cinike, është një mundësi e shkëlqyer biznesi për ta. Ata blenë Malin e Zi dhe tani industrinë e energjetikës në Serbi. Dhe do të vazhdojnë të blejnë."

Eduard Lukas i paraqiti pikëpamjet e tij para Komisionit Amerikan të Helsinkit, forumi kryesor për të drejtat e njeriut në Kongresin Amerikan. //bsa//