Forcat ajrore amerikane thanë se një aeroplan luftarak i tipit B-2 është rrëzuar sot afër ishullit të Guamit menjëherë pas ngritjes. Forca ajrore amerikane tha gjithashtu se është hera e parë që ky lloj aeroplani i cili kushton rreth 1 miliardë dollarë rrëzohet dhe se do të bëhen hetime për të gjetur shkaqet e këtij aksidenti.
Zyrtarët thanë se të dy pilotët kishin arritur të hidheshin nga aeroplani me katapultë dhe se nuk kishin pësuar dëmtime. Pas rrëzimit të këtij aeroplani, forcës ajrore amerikane i mbetën edhe 20 avionë të tipit stelth, të padiktueshëm nga radarët, të cilët janë të stacionuar në bazën ajrore Whiteman në shtetin Mizuri.
Aeroplani mund të fluturojë deri 11 mijë kilometra pa pasur nevojë të mbushet me karburant. Ishulli i Guamit është territor amerikan 6,000 kilometra në jugperendim të ishullit të Havait. //rd//