SHBA: Kongresi mbështet synimin e Shqipërisë për në NATO

Një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Asmblenë Parlamentare të Natos, tha sot në Tiranë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara mbështet plotësisht aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut. Delegacioni i përbërë nga 6 kongresmenë u takua sot me autoritetet më të lartë shqiptare, presidentin, kryeministrin dhe kryetaren e parlamentit

Delegacioni i kongresmenëve amerikanë mbylli në Tiranë një tur vizitash në të tria vendet ballkanike, Kroaci, Maqedoni e Shqipëri, të cilat janë pjesë e kartës së Adriatkut e që shpresojnë të marrin në samitin e Bukureshtit ftesën për anëtarësim në Nato.

Delegacioni i përbërë nga 6 kongresmenë republikanë dhe i kryesuar nga Xhon Taner u takua gjatë ditës së sotme me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli dhe përfaqësues të komisionit parlamentar të Mbrojtjes.

Gjatë takimeve atyre u është prezantuar panorama e zhvillimeve jo vetëm në fushën e mbrojtjes por edhe atyre ekonomike e politike. Shqipërisë i është kërkuar që të ecë me shpejtësi në reformat në Drejtësi dhe reformën zgjedhore. Dhe drejtuesit e lartë shtetëror kanë patur pse të jenë edhe entuziast. Të paktën për këto dy çëshje ekziston një mirëkuptim mes dy kampeve politike, të clat si rrallëherë po punojnë së bashku.

Kongresmeni Tanner tha në përfndim të takimeve se mesazhi i përcjellë prej tyre është se kongresi dhe administrate amerikane janë mbështetës të fortë të apisrtës së Shqipërisë për anëtarësim: “Ne vlerësojmë progresin që është bërë në fushën e reformave të nevojshme për të hyrë në Nato dhe kemi nxitur për shtytjen më tej të këtyre reformave. Ne shpresojmë që të ketë një ftesë por ajo që dëshiroj të theksj është se kongresi i SHBA mbështet aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim”, tha kongresmeni Tanner.

Në Tiranë ekziston shqetësimi se problemet e Shkupit me Athinën për çështjen e emrit të Maqedonisë, dhe një veto e mundshme e Greqisë për të lënë jashtë Maqedoninë mund të penalizonte edhe Shqipërinë duke i dhënë ftesë vetëm Kroacisë. Por sipas kongresmentit Tanner “Zgjerimi i Natos ka nisur që në vitet 90 dhe deri më sot e kriteri vendimtar që ka vendosur për anëtarësimin e një vendi ka qenë përmbushja e standarteve të vendosura sipas planit të anëtarësimit dhe ne nuk shohim ndonjë arsye se përse kjo duhet të ndryshojë”, theksoi kongresmeni Taner. //ad//