Kandidatët kryesorë për president këtu në Shtetet e Bashkuara po bëjnë fushatë në mbarë vendin këtë fundjavë, duke konkuruar për votat në zgjedhjet paraprake. Të Martën e Madh, demokratët do të votojnë në 22 shtetet ndërsa republikanët në 21. Dy shtetet më të mëdha Kalifornia dhe Nju Jorku janë në garën që një nga kandidatët e quan më të fortën në zgjedhjet paraprake. Secila nga të dyja partitë ka dy kandidatë kryesorë.
Senatori John McCain ka tani mbështetjen e njeriut që quhet “Kryebashkiaku i Amerikës” si dhe të një guvernatori shumë popullor. Ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudy Giuliani dhe guvernatori Arnold Schwartzenegger bënë fushatë me zotin McCain, republikanin që kryeson anketat e opinionit publik amerikan. "Ai është një hero i madh i Amerikës dhe një drejtues i shkëlqyer". Ish guvernatori i shtetit Masaçusets Mitt Romney, rivali kryesor i zotit McCain, ishte gjithashtu në Kaliforni ku foli mes të tjerash për ekonominë.
Republikanët do të votojnë në 21 shtete por Kalifornia është kryesorja sepse ajo do të japë gati një në gjashtë delegatët e nevojshëm për kandidaturën. Zoti Romney mban vendin e dytë në anketime. Në një debat në Kaliforni, dy kandidatët debatuan në se Romney favorizoi dikur një afat kohor për tërheqjen e trupave nga Iraku, për të cilin të dy kandidatët thonë se janë kundër.
Vota hispanike ka rëndësi të madhe për demokratët në Kaliforni, duke e bërë senatorin Barack Obama të flasë pak spanjisht në këtë miting. Në debatin e tyre në CNN, dy demokratët e mbetur në garë argumentuan mbi Irakun. Senatorja Hillary Clinton shpjegoi se votoi për të autorizuar luftën pasi priste që Presidenti Bush do të kërkonte më shumë inspektime për armët. "Askush nuk mund të vlerësonte se sa i dhënë ishte ky president në veçanti për këtë mision".
Zoti Obama tha se ai e kundërshtoi rezolutën që në fillim. "Senatorja Clinton thotë se ka përvojë për të filluar punën që ditën e parë. Por unë mendoj se rëndësi ka që të marrësh vendimin e duhur që ditën e parë". Të dy kandidatët thonë se do t’i japin fund përfshirjes amerikane në Irak. Në betejën për të fituar mbështetje, një nga figurat drejtuese të partisë, senatori Edward Kennedy dha përkrahjen e tij dhe bëri fushatë në Nju Meksiko.
Megjithatë, ligjvënësja Maxine Waters, një kaliforneze me influencë tek afrikano-amerikanët, mbështet zonjën Klinton. Ajo kryeson anketat në këtë shtet që është çmimi më i madh për demokratët dhe ku ekspertë politikë si Bruce Cain thonë se ka një interes të jashtëzakonshëm."Ka informacione në rritje që tregojnë se do të ketë një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje në Kaliforni". Kandidatët në të dyja partitë shpresojnë të përfundojnë garën për kandidaturë të martën. Por ekspertët thonë se ka mundësi që rezultati të jetë i paqartë edhe më tej. //rd//