Itali: Berlusconi bën thirrje për zgjedhje të menjëherëshme

Në Itali, udhëheqësi i opozitës Silvio Berlusconi po bën thirrje për zgjedhje të menjëherëshme parlamentare për zgjidhjen e krizës politike në vend pas dorëheqjes së kryeministrit Romano Prodi.

Ish kryeministri konservator publikoi thirrjet e tij pas takimit që zhvilloi në Romë me presidentin italian Giorgio Napolitano. Presidenti, i cili i përket rrymës së majtë, thuhet se po anon drejt një opsioni të dytë për formimin e një qeverie të përkohëshme që do të reformonte ligjet elektorale dhe do t’i jepte më shumë pushtet kryeministrit para se të zhvilloheshin zgjedhjet.

Presidenti Napolitano u takua po sot edhe me udhëheqësin e Partisë Demokrate Walter Veltroni. Udhëheqësi demokrat, njëkohësisht kryetar i bashkisë së Romës, thotë se ai propozoi formimin e një qeverie tranzicioni dhe shtyrjen e zgjedhjeve deri në fillim të 2009-tës, për të mundësuar kështu reforma politike.//iç//