Prodi fiton votëbesimin në Dhomën e Ulët të Parlamentit italian

Në Itali, po shtohet presioni për dorëheqjen e kryeministrit Romano Prodi, në prag të seancës së rëndësishme në parlament, për votëbesimin e tij, gjatë së cilës analistët thonë se ai mund të humbasë.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA tha se Presidenti Xhiorxhio Napolitano u takua sot me zotin Prodi, për t’i sugjeruar atij që më mirë të japë dorëheqjen, se sa të ndeshet me votimin e nesërm, që do të zhvillohet në Senatin e mbizotëruar nga opozita.

Siç pritej, zoti Prodi fitoi sot votebesimin në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ku ai ka shumicën. Por një humbje në Senat, mund ta detyrojë atë të japë dorëheqjen, gjë që do të çonte në zgjedhje të parakohëshme. Koalicioni qeverisës i zotit Prodi e humbi javën e kaluar shumicën që kishte në Senat, pas dorëheqjes nga qeveria të njërit prej figurave kryesore të partisë aleate.

Javën e kaluar, Minsitri italian i Drejtësisë, Klemente Mastela dha dorëheqjen dhe tha se Partia e tij e qendrës do të votonte kundër kryeministrit në seancat për votëbesimin e tij. Ndaj Mastelës ka filluar një proces hetimor nën akuzat për korrupsion.//lk