Prishtinë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se data e shpalljes së pavarësisë së vendit do të jetë një befasi e shpejtë dhe e mirë për të gjithë. Ai i bëri këto komente në aeroportin e Prishtinës, para se të nisej për në Bruksel, ku gjatë dy ditëve të ardhshme do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, në funksion të siç thuhet, këshillimeve lidhur me veprimet e mëtejshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Kryeministri Thaçi sërish përsëriti sot qëndrimin se vendimi për shpalljen e pavarësisë së vendit do të bëhet në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
" Unë do të prezantojë qëndrimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës se Kosova është gati, është unike, është e përgatitur për shtet të pavarur dhe sovran. Kërkojmë njohjen unike të Washingtonit, Bashkimit Evropian dhe vendeve përreth Kosovës ", - tha kryeministri Thaçi.
Autoritetet në Prishtinë kanë përmendur muajin shkurt, si periudhë të mundshme të shpalljes së pavarësisë , meqë ishte kërkesë edhe e fuqive perëndimore që të pritet përfundimi i zgjedhjeve presidenciale në Serbi, raundi i dytë i të cilave do të mbahet më tre shkurt.
Këto zgjedhje vlerësohen me rëndësi thelbësore për orientimin politik të Beogradit. Kryeministri Thaçi tha se zgjedhjet serbe janë çështje e Serbisë, ndërsa ai do të dëshmojë në Bruksel se Kosova do të garantojë respektimin e të drejtave të pakicave dhe do të jetë vend i mundësive të barabarta për gjithë qytetarët e saj.
Ai u shpreh i bindur se periudha e shpalljes së pavarësisë do të vendoset në pajtim të plotë ndërmjet Prishtinës, Washingtonit dhe Brukselit.
"Ne jemi duke u përgatitur me miqtë ndërkombëtarë dhe data do të jetë e koordinuar dhe është e koordinuar do të publikohet, do t'i prezantohet opinionit publik shumë shpejt, Kështu që gjithçka është duke shkuar në drejtim të duhur dhe plotësisht në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur sovran dhe demokratik", - theksoi kryeministri Thaçi.
Bashkimi Evropian planifikon vendosjen e një misioni që do të zëvendësojë Misionin e Kombeve të Bashkuara ndërsa vendimi për këtë pritet të merret më 18 shkurt në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.
Beogradi i mbështetur edhe nga Rusia, kundërshton vendosjen e këtij misioni, sikundër që kundërshton edhe çdo mundësi të pavarësimit të Kosovës. Beogradi kërkon vazhdimin e negociatave ndërsa Prishtina pohon se periudha e negociatave ka përfunduar dhe tash është koha e zbatimit të propozimit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur.//lk