Autoritetet e policisë në Kosovë thanë sot se kanë arrestuar tre persona të dyshimtë për shpërthimin që ndodhi muaj më parë në lagjen "Dardania" në Prishtinë ku humbën jetën 2 qytetarë dhe u plagosën 11 të tjerë.
Gjeneral major Rrahman Sylejmani, Ndihmës Zëvendës i Komisarit të policisë, tha se dy nga të arrestuarit janë pjesëtar të Shërbimit Policor të Kosovës, ndërsa i arrestuari i tretë është pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Të arrestuarve u është caktuar paraburgimi prej 72 orësh, ndërkohë, gjatë operacionit të sotëm të policisë janë bastisur edhe objektet e banimit të të arrestuarve. Gjeneral major Rrahman Sylejmani thotë se hetimet lidhur me shpërthimin janë duke vazhduar, ndërsa priten dhe arrestime të tjera. (ze)