Serbi: Analistët presin një raund të dytë zgjedhjesh presidenciale

Një aleat politik i ish presidentit Sllobodan Millosheviç dhe një politikan i moderuar properëndimor janë rivalët kryesorë në garën mes 9 kandidatëve për zgjedhjet presidenciale që zhvillohen nesër.

Analistët presin që presidenti i tanishëm Boris Tadiç dhe udhëheqësi i partisë radikale Tomisllav Nikoliç të marrin shumicën e votave por parashikojnë gjithashtu se asnjëri prej tyre nuk do të ketë mbështetjen e mjaftueshme për të shmangur një raund të dytë votimesh më 3 shkurt.

Zoti Tadiç u përpoq gjatë mandatit të tij ta shtyjë Serbinë drejt pozicioneve properëndimore, duke përfshirë planet për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndërsa zoti Nikoliç është për një Serbi nacionaliste dhe të pavarur. Të dy ata i kanë zbutur qendrimet në përpjekje për të bërë për vete votuesit e lëkundur.

Të gjithë kandidatët në garë janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, e cila pritet ta shpallë atë javët e ardhëshme. Serbia nuk do të lejojë vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për të monitoruar zgjedhjet e së dielës. Përfaqësuesit nacionalistë të vijës së fortë në komisionin qëndror të zgjedhjeve thanë se vëzhguesit nuk do të lejohen sepse Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe përkrahin pavarësinë e Kosovës. //rd//

Gjykata e Lartë e Serbisë kishte thënë se ndalimi i vëzhguesve ishte i paligjshëm por komisioni votoi të enjten dhe e hodhi poshtë vendimin e gjykatës. Zyrtarë të zgjedhjeve do të lejojnë 23 vëzhgues nga OSBE-ja dhe disa të tjerë nga Komonuelthi i Shteteve të Pavarura që përbëhet nga ish republika sovjetike.