Kosova, çështja e fundit e pazgjidhur në Ballkan

Kosova synon të shpallë pavarësinë në muajt e ardhshëm. Por çdo veprim drejt pavarësisë së saj do të përballet me kundërshtimin e fortë të Serbisë dhe aleates së saj tradicionale Rusisë, e cila mund të bllokojë anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. Shumë ekspertë e quajnë këtë çështje, problemin e vetëm të pazgjidhur që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Që pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, komuniteti ndërkombëtar ka dërguar shumë misione paqeruajtëse dhe ka derdhur miliona dollarë ndihmë ekonomike për të stabilizuar rajonin e Ballkanit dhe për ta futur në rrugën drejt demokracisë dhe tregut të lirë. Shumë nga vendet që ishin dikur pjesë e ish-Jugosllavisë kanë bërë përparime të rëndësishme dhe ose kanë hyrë në Bashkimin Evropian ose po bëjnë përpjekje për t’u anëtarësuar. Por një çështje ka mbetur ende e pazgjidhur në rajon: e ardhmja politike e Kosovës.

Kosova ka qenë nën administrimin ndërkombëtar që pas fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, që i dha fund përpjekjeve brutale serbe për të pasur nën kontroll shumicën shqiptare dhe nxorri jashtë Kosovës forcat serbe. Megjithëse teknikisht Kosova është ende pjesë e Serbisë, shumica shqiptare është në favor të pavarësisë, të cilën pakica serbe e kundërshton.

Shumë ekspertë janë të një mendjeje se status-quoja e Kosovës, ka frenuar zhvillimin ekonomik dhe ndihmën e investimet e huaja, ka keqësuar gjendjen e rendit dhe intensifikuar tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Vitin e kaluar komuniteti ndërkombëtar filloi përpjekjet e ndërmjetësimit, por bisedimet disa mujore për të ardhmen e Kosovës përfunduan pa rezultat.

Ndërkohë, Rusia ka kërcënuar se do të vërë veton nëse çështja e pavarësisë së Kosovës shtrohet për votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Moska dhe Beogradi po bëjnë thirrje për bisedime të mëtejshme, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore evropiane thonë se negociatat janë ezauruar dhe status-quoja nuk mund të vazhdojë më.

“Thirrja për shtyrje të mëtejshme, është kundër produktive, nuk çon askund dhe veçse do të krijonte më shumë paqëndrueshmëri”, thotë Robert Hand, këshilltar në Komisinin amerikan për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

“Ne thjesht nuk mund të lejojmë që statusi i Kosovës të mbahet pezull për një kohë të pacaktuar. Njerëzit atje kanë nevojë ta dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre. Mendoj se Shtetet e Bashkuara e kuptojnë dhe janë mjaft të vendosura në qëndrimin e tyre për të ardhmen e Kosovës. Besoj se çështja që shtrohet nuk është se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës, por si të mbërrihet atje”.

Rusia dhe Serbia thonë se shpallja e pavarësisë së Kosovës, dhe njohja e saj nga vende të ndryshme pa një rezolutë të Këshillit të Sigurimit do të përbënte shkelje të ligjit ndërkombëtar. Moska thotë se një gjë e tillë do të përbënte një precedent të rrezikshëm për disa nga rreth 50 mosmarrëveshjet territoriale në botë. Por të tjerë vënë në dukje se ndryshe nga raste të tjera, ai i Kosovës ka fituar peshë ndërkombëtare.

Disa ekspertë shprehin mendimin se Rusia, në përpjekje për të rifituar statusin si fuqi ndërkombëtare, po ngul këmbë në qëndrimin e saj për zona me rëndësi për Perëndimin, përfshirë Iranin, Kaukazin dhe tani edhe Kosovën.

Nikolla Pano, historian në Universitetin e Ilinoit Perëndimor, thotë se ashtu si Shtetet e Bashkuara po i dalin për zot premtimit ndaj Kosovës, edhe Rusia e ndjen veten aq të fortë sa të mbajë premtimin e saj ndaj Serbisë.

“Është shumë e vështirë për secilën nga palët që të tërhiqet. Në një masë të konsiderueshme, veprimet e tyre do të varen nga atmosfera e përgjithshme ndërkombëtare. A do të hyjmë në një periudhë të re konkurrence mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë? A do t’i rikthehemi diplomacisë së superfuqive? Mendoj se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë ende të qarta, por sigurisht që do të ndikonin në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje”.

Megjithëse ekspertët bien dakord në përgjithësi që Kosova do të mbetet burim polemikash, shumë prej tyre vënë në dukje se nuk ka të ngjarë që ajo të shkaktojë një çarje të madhe në marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit.

Robert Hunter, këshilltar i organizatës Rand, ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe Bashkimin Evropian gjatë administratës së Presidentit Clinton nga mesi i viteve 1990.

“Rusia nuk futet në luftë për Kosovën. Nuk do ta ndryshojë në thelb qëndrimin e saj lidhur me bashkëpunimin me amerikanët dhe evropianët. Por për të pasur një siguri konstruktive evropiane, marrëdhënie konstruktive me rusët në shumë nga pikat e nxehta të botës, ia vlen të krijohet një kuadër më i gjerë për të diskutuar këto çështje. Megjithatë kjo nuk do të thotë që t’u themi kosovarëve që nëse Rusia nuk është dakord me atë që do të bëjë Kosova, ata të tërhiqen nga ajo që duan të bëjnë”.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca i kanë intensifikuar përpjekjet për të siguruar mbështetjen e anëtarëve të lëkundur të Bashkimit Evropian, për të anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe për të njohur pavarësinë e Kosovës. Një mision i Bashkimit Evropian do të zëvendësojë së shpejti, administratën e UNMIK-ut, një veprim që disa ekspertë e shohin si një hap të parë drejt një Kosove të pavarur.

Eksperti i marrëdhënieve me jashtë Ionis Saratsis i Institutit Hudson thotë se Shtetet e Bashkuara duan që ta mbyllin sa më shpejt kapitullin e Kosovës. Por ai tërheq vëmendjen se pa një angazhim aktiv të Shteteve të Bashkuara, përmirësimi në Kosovë nuk do të ishte aq i madh.

“Evropianët përgjithësisht kanë pasur një varg dështimesh në Ballkan, duke filluar që nga lufta e parë jugosllave. Për ta Serbia mund të jetë një shans për t’i provuar botës se ata janë në gjendje të dalin me një zë të përbashkët, se mund të kenë një politikë të jashtme të unifikuar. Por unë nuk kam shumë shpresa se Bashkimi Evropian do të ketë ndonjë sukses të madh në Kosovë, ose Serbi”.

Zoti Saratsis shton se nëse shtetet kryesore evropiane njohin pavarësinë e Kosovës, ka mundësi që marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Evropian të keqësohen, duke e lënë rajonin edhe njëherë të pastabilizuar. Megjithatë, analistë të tjerë thonë se gjatë 15 viteve të fundit Bashkimi Evropian ka ndihmuar në vendosjen e një periudhe qetësie dhe zhvillimi në pjesë të mëdha të një rajoni që shpesh është cilësuar një “fuçi baruti”. //kk//