SHBA: Emigrantët dhe problemet e përshtatjes me një vend të ri

  • Majk O’Sullivan

Vilen Çernjak, emigrant nga Ukraina, erdhi me gruan e tij në Los Anxheles në vitin 2000. Ai ishte një studiues fizike që kishte dalë në pension dhe shpejt u angazhua me organizatat e komunitetit, përfshirë Shërbimet Hebraike për Familjen. Zoti Çernjak flet rusisht dhe është përkthyes vullnetar për emigrantët e tjerë. Ai drejton gjithashtu këshillin e banorëve në godinën e tij.

“Tani që kam dalë në pension, është një mënyrë për të përmbushur dëshirën time të natyrshme që t’i shërbej asaj pjese të shoqërisë nevojat e së cilës unë i kuptoj shumë mirë”.

Një tjetër emigrante nga Ukraina Raisa Fajman u frymëzua nga vullnetarët që e ndihmuan atë kur arriti në Amerikë në vitin 1989. Ajo punon tani me emigrantë të tjerë, duke ndihmuar me gjëra të tilla si pagesa e faturave telefonike.

“Kurrë më parë nuk e kisha provuar kënaqësinë e të dhënit. Në kulturën time, askush nuk na ka mësuar të bëjmë kështu. As nuk e dinim që ekzistonte. Dhe këtu po provoj një kënaqësi aq të madhe dhe njëkohësisht u jap edhe të tjerëve kënaqësi”.

Në një pjesë tjetër të qytetit, emigrantët kinezë u çojnë dhurata për festa një familjeje latine.

Kerën Li është vullnetare e fondacionit Tzu Çi, një organizatë bamirëse budiste me qendër në Taivan.

“Po u dërgojmë pako me dhurata për festat familjeve për të cilat kujdesemi prej kohësh. Këto familje vuajnë financiarisht, ose ndonjëherë kanë nevojë për mbështetje emocionale. Kështu gjatë sezonit të festave do t’i vizitojmë të gjitha familjet për t’u çuar pak ngrohtësi dhe gëzim”.

Emigrantja estoneze Marina Berkman drejton një program për të moshuarit dhe ata me paaftësi fizike, i cili varet nga Shërbimet Hebraike për familjet e Los Anxhelesit. Zonja Berkman, që është psikologe thotë se emigrantët kanë nevojë për ndihmë praktike dhe mbështetje emocionale. Ajo thotë se përvoja e emigracionit mund të jetë tronditëse në fillim.

“Njerëzit humbin gjithçka. Humbin vendin e tyre, gjuhën, afërsinë e lagjes së tyre, të motit dhe natyrës, rrënjët e fëmijërisë, miqtë dhe punën, si edhe statusin e tyre social. Atyre u duhet të rifillojnë çdo gjë nga e para”.

Ajo thotë se emigrantët i japin një kuptim jetës kur ndihmojnë të tjerë si veten, dhe kështu si ata që japin edhe ata që marrin provojnë një ndjenjë kënaqësie. (ze)