Në Rusi, Serbi dhe vende të tjera nesër festohen krishlindjet ortodokse dhe serbët e Kosovës shpresojnë që ky nuk do të jetë festimi i tyre i fundit në Kosovë. Le të ndjekim kronikën e filmuar në pjesën veriore të Mitrovicës.
Serbët e Kosovës fillojnë përgatitjet për Krishlindjet, një ceremoni tradicionale ku këndohen këngë dhe mblidhen degë pemësh. Në pjesën veriore të Mitrovicës, dhjetra serbë të Kosovës u zgjuan sot herët për të mbledhur degë në pyjet aty pranë. Tre degë pemësh do të digjen në mbrëmje për të kujtuar lindjen e Jezu Krishtit.
Duke kënguar këngë serbe për Kosovën, disa nga ata që kishin dalë për të mbledhur degë shfaqën shpresën se për ta ky nuk do të jetë viti i fundit i Krishlindjeve në Kosovë. “Çfarë do që të ndodhë, ne do të qëndrojmë këtu. Do të mbroj vendin dhe shtëpinë time. Shpresoj që këto nuk do të jenë Krishlindjet e fundit këtu”, thotë Dushan Stojanoviç. Marko Antiç,
“Do të mbrojmë Kosovën me të gjitha mënyrat. Nuk do të largohem nga Kosova. Edhe pse shumë të tjerë do të ikin, unë do të qëndroj këtu”, thotë një tjetër serb i Kosovës, Marko Antiç.
Këmbëngulja e shqiptarëve për pavarësi ka krijuar një konflikt mes Shteteve të Bashkuara dhe fuqive evropiane që mbështesin pavarësinë, dhe Rusisë që thotë se ndarja është e paligjshme dhe krijon një precedent të rrezikshëm.
Forcat e Natos në Kosovë, kanë shtuar patrullimet dhe kanë dislokuar trupa shtesë shumica gjermanë dhe amerikanë në veriun e tensionuar.
Serbët e Kosovës janë kundër shpalljes së pavarësisë dhe thonë se do të bëjnë ç’është e mundur të qëndrojnë të bashkuar me Serbinë.
Një zyrtar perendimor që nuk deshi të identifikohej, tha se pas shpalljes së pavarësisë paqeruajtësit do të përqëndrohen në sigurimin e kufijve të Kosovës për të parandaluar ndonjë aktivitet ekstremist.
Udhëheqësit e Kosovës kanë premtuar të koordinojnë me kujdes shpalljen e pavarësisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe i kanë premtuar komunitetit serb, se ka një të ardhme në Kosovë. //ii