Rënia e dollarit dhe të ardhurat nga imigracioni

Vlera e dollarit amerikan ka rënë afro 20 përqind krahasuar me monedhat kryesore botërore në pesë vitet e fundit. Kjo rënie ka ndikuar kryesisht tek imigrantët që punojnë në Shtetet e Bashkuara dhe dërgojnë para tek familjet e tyre. Dollarët e dërguar nëpër vendet nga janë imigrantët janë një faktor kyç për ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim.

Pa pushuar në fundjavë dhe me sa më shumë orar të zgjatur pune. Ky është synimi i Eric Amaoakasës që jeton në Nju Jork. Ai ka katër fëmijë, gruan dhe prindërit e tij të cilët varen nga 200 dollarëshi që u dërgon çdo muaj në Ganë. Por jeta nuk ka qënë kaq e vështirë për Erikun vite më parë. Si rezultat i rënies së vlerës së dollarit, paratë që i dërgon familjes kanë fuqi më të vogël blerëse ndaj i duhet të punojë më shumë për të dërguar më shumë para. “Më duhet të punoj dy turne si dhe në fundjavë. Duhet të punoj sepse më duhen më shumë para tani që dollari ka rënë për të plotësuar detyrimet.” Por Eriku nuk është i vetëm. Rënia rekord e dollarit krahasuar me monedhat kryesore në botë ka bërë që miliona njerëz të detyrohen të shtojnë partatë që u dërgojnë familjeve duke punuar edhe më shumë. Kjo mund të ketë një efekt të madh në vendet e varfëra.

Për këtë vit, Banka Botërore llogarit dërgesa prej 240 miliard dollarësh drejt vendeve në zhvillim. Banka thotë se për disa vende, këto lloj dërgesash kapin deri në gjysmën e të ardhurave kombëtare.

Dilip Ratha, ekonomist i Bankës Botërore thotë se rënia e dollarit po bën që të shtohen kërkesat për rritje page nga punonjësit imigrantë. “Ata thonë se kanë ardhur këtu për të fituar dhe për të ndihmuar familjet në vendet e tyre dhe kërkojnë t’u rrisin pagat. Kjo po krijon një farë pakënaqësie mes punëtorëve imigrantë.” Ratha beson se me kalimin e kohës kjo situatë mund të ulë imigracionin drejt Shteteve të Bashkuara. “Është e kuptueshme, imigrantët kërkojnë të shkojnë në vende ku ka më shumë fitim. Ata do të shkojnë në vende ku paraja ka më shumë vlerë për të ndihmuar familjet e tyre.” Sidoqoftë, për njerëz si Eriku, të cilët janë të punësuar në Amerikë, çdo dollar i fituar dhe i dërguar në shtëpi ka tani vlerë më të vogël se sa më parë. //rd//