Ndërkohë që vendet e Bashkimit Europian nuk arritën të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi statusin e Kosovës, mbështetës të shumte te pavarësisë për Kosovën zhvilluan dje një protestë përballë selisë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork,
Demonstrues të shumte, shumica shqiptarë të Kosovës, brohorisnin dhe hidhnin parrullat “Pavarësia e Kosovës, tani”.
Ata thërrisnin gjithashtu "Kosova, Kosova," dhe thirrjet e tyre mbysnin zërat e atyre që përpiqeshin të flisnin para njerëzve.
Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, tha se protestuesit dëshironin t’i tregonin popullit të Kosovës se nuk është vetëm.
"Ne nuk presim patjetër që t’i ndryshojmë mendjen Kombeve të Bashkuara për atë që do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit. Por dëshirojmë që populli i Kosovës ta dijë se nuk është vetëm, se ne do të luftojmë për pavarësinë e tij dhe ne nuk duam që ai të provokohet për të ndërmarrë veprime në terren pasi Kosova të ketë shpallur pavarësinë,” tha zoti Mustafaj.
Njëri prej protestuesve i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të mbështesë pavarësinë për Kosovën.
"Shpresojmë se ata do të dëgjojnë sepse ka ardhur koha të na dëgjojnë. Ata vazhdojnë të thonë: le të presim 6 muaj, le të presim edhe 3 muaj. Ka ardhur koha të dëgjojnë dhe ta shpallin pavarësinë sa më shpejt," tha ai. //ii