Një nga mumjet më të plota të dinosaurve të zbuluara deri tani po u tregon shkencëtarëve sekrete që natyra i ka fshehur për miliona vjet.
Mumja është aq e plotë saqë për studiuesit është gati njëlloj sikur të preknin një dinosaur të gjallë. Fjala është për një hidrosaur gjigand të fosilizuar dhe shkencëtarët kanë qenë në gjendje të përcaktojnë trashësinë e muskulit të tij që del se ishte më i fuqishëm se sa mendohej. Ne po përdorim fjalën mumje, por kuptohet, dinosaurët janë të fosilizuar dhe toka nuk i ka ruajtur në atë gjendje që janë ruajtur mumjet e Egjiptit.
Sidoqoftë, ndryshe nga kockat e dinosaurëve që shikojmë nëpër muzeume, ky hidrosaur është shumë më i plotë sepse tek ai dallohet madje lëkura, ligamentet dhe ndoshta disa organe të brendshëm. Shkencëtarët e quajnë këtë një zbulim të jashtëzakonshëm.
Fosili u gjet në vitin 1999 në Dakotën e Veriut, pra në Shtetet e Bashkuara dhe analiza e tij është bërë duke përdorur aparatin më të madh të skanimit në botë që përdor kompania e avionëve Boeing zakonisht për të analizuar motorët e anijeve të hapësirës dhe objekte të tjerë të mëdhenj. //rd//