Puna natën mund të shtojë rrezikun e prekjes nga kanceri
Një njoftim shqetësues për ata që punojnë gjatë turnit të natës: një studim i ri thekson se ata janë nën një rrezik të shtuar për t’u prekur nga kanceri. Pas shpalljes së rezultateve të studimit që arriti në këtë përfundim, Agjencia ndërkombëtare për kërkime në fushën e kancerit, degë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se së shpejti do ta klasifikojë punën natën si një ndër shkaktarët e mundshëm të kancerit. Dhe ka gjasa që një hap të ngjashëm të ndërmarrë edhe shoqata amerikane kundër kancerit, e cila në të kaluarën i ka parë me dyshim pretendime të tilla të ngjashme.
Dihet se qëndrimi në diell, pa masa mbrojtëse, mund të shkaktojë kancer në lëkurë. Tani thuhet se edhe qëndrimi nën dritë artificiale mund të shkaktojë kancer, jo në lëkurë, por në organizëm. Agjencia për kërkime në fushën e kancerit, thotë se së shpejti ka në plan të shpallë zyrtarisht se njerëzit që punojnë në turnet e natës, mund të përballen me një shkallë më të lartë rreziku nga kanceri. Edhe Shoqata amerikane kundër kancerit thotë se ka të ngjarë të ndërmarrë të njëjtin hap. Dhe ky hap për këtë shoqatë mund të quhet i madh, pasi prej kohësh ajo i ka parë me dyshim të dhënat që e lidhin punës e natës me kancerin, duke i quajtur, si të pabaza, kundërthënëse ose të pavërtetuara. Hapi i tanishëm bazohet në rezultatet e kërkimeve shkencore, sipas të cilave mes njerëzve që punojnë në turnet e natës, rastet e kancerit të gjirit tek gratë dhe rastet e kancerit të prostatës tek burrrat janë më të larta sesa tek ata që punojnë ditën. Por vetëm kjo nuk provon se puna natën mund të shkaktojë kancer. Për të vërtetuar një gjë të tillë duhet që njerëzit që punojnë natën të kenë të përbashkët edhe faktorë të tjerë që i bën ata më të pambrojtur ndaj kancerit. Shkencëtarët shpesh kanë thënë se puna e natës është e rrezikëshme, pasi ajo prek orën biologjike të trupit. Ata thonë se organizmi i njeriut prodhon një lloj hormoni, i quajtur Melatonin i cili pengon zhvillimin e kancerit, dhe është vërtetuar se prodhimi i këtij hormoni gjatë natës pakësohet. Gjithashtu, njerëzit që punojnë nën dritë artificiale ka gjasa të kenë nivele të ulta të hormonit melatonin. Megjithatë ka shumë njerëz që dyshojnë nëse puna natën ka lidhje me kancerin. Por në qoftëse provohet se të punuarit natën mund të bëhet shkak për kancer, kjo do të ndikojë tek miliona vetë në mbarë botën. Llogaritet se afro 20 përqind e fuqisë punëtore në vendet e zhvilluara punojnë natën.
Skanimet e panevojshme mjekësore shkaktojnë sëmundje
Shkencëtarët thonë se aparatet mjekësorë të skanimit mund të sjellin dëm për shëndetin kur përdoren në raste të panevojshme. Kjo për arsye se këto aparate përdorin rrezatim të lartë.
Xhei Sutfin ka kryer një numër skanimesh. Ky fëmijë 5 vjeçar ka 7 tumore në tru. Tani e nëna e tij ka zgjedhur midis dy alternativave; të vazhdojë skanimet apo të besojë rezultatet e një studimi të ri ku thuhet se skanimet janë të dëmshëm për fëmijët si Xhei Sutfind.
Nëpërmjet skanimit, mjekët mund të shohin se çfarë ndodh brenda trupit të njeriut. Ata marrin imazhe 3 dimensionale që ndihmojnë më mirë për zbulimin e kancerit. Por studimi i botuar në revistën mjekësore të Nju Englandid, paralajmëron se skanimet mund të shkaktojnë kancer dhe se në çdo 3 skanime që kryehen, një është i panevojshëm. Doktor David Brener është një nga autorët e studimit.
Ai thotë se kur një njeri vjen në qëndrën e urgjencës me dhimbje në stomak ose dhimbje kronike në kokë, personi dërgohet menjëherë për skanim, para se të vizitohet nga mjeku. Por kjo procedurë tani vihet në pikëpyetje nga ana e studimit.
Në studimin e doktor Brenerit thuhet se rezatimi radioaktiv që rrjedh nga skanimi do të bëhet shkak për afro 2 përqind të të gjithë kancereve në 20 vjetët e ardhshëm.
Autorët i bazojnë këto shifra tek mbijetuesit e bombës atomike në Japoni, tek të cilët u vu re shtimi i rrezikut të kancerit pasi ata morrën të njëtën dozë rezatimi më atë që pacientët marrin kur kryejnë disa skanimeve. Aparatet e skanimit përdorin doza më të larta rezatimi radioaktiv sesa përdoret nga aparatet me reze Rongen apo X. Por gjatë studimit u vu re se në çdo 4 mjekë, tre prej tyre e nënvlerësojnë këtë dozë dhe se nuk janë të vetdijshëm se shtimi i rrezatimit radioaktiv shton rrezikun e kancerit.
Dhe më shumë në rrezik janë fëmijët si Xhei, organizmi i të cilëve është më i ndjeshëm ndaj rrezeve. Doktor Raimond Ze, është shef i radiologjisë në spitalin e fëmijëve në Uashington.
Ai thotë se fëmijët janë ndryshe. Janë më të vegjël dhe disa organe të tyre janë më të ndjeshëm. Prandaj mjekët synojnë uljen e dozave dhe terapi që t’u përshtatet fëmijëve.
Për të marrë këto pamje duhet më pak se një sekondë dhe kjo mënyrë eleminon nevojën për anestezi, pasi fëmija nuk duhet të lëvizë. Kjo është arsyeja përse numri i skanimeve për fëmijët është rritur dukshëm. Në studim thuhet se një milionë skanime pediatrike në vit nuk janë të nevojëshme, dhe për këtë arsye këta fëmijë përballen me rrezikun e kancerit. Por nëna e Xheit, Kathy Sutfin thotë se në rastin e djalit të saj, të mirat nga skanimi janë më të shumta sesa rreziqet.
Ajo thotë se pa skanim, mjekët nuk do të dinin se çfarë ndodh brenda trupit të pacientit, apo në çfarë gjendje është tumori për të përcaktuar sesi të luftohet ai.
Autorët e studimit janë të një mendimi se skanimet janë një mjet i vlefshëm mjekësor, por mjekët dhe pacientët duhet të sigurohen që kalimi në aparatin e skanimit të bëhet vetëm kur një mënyrë e tillë diagnostikimi është e nevojëshme dhe rrezatimi radioaktiv në nivelin e përshtatshëm.