Autoritetet në Kosovë i kanë siguruar qytetarët e vendit se çfarëdo bllokade që do të mund të vendoset nga Serbia në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk mund të keqësojë jetën e tyre.
Zyrtarë të qeverisë serbe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime kundër çdo vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës përfshirë prerjen e linjave të energjisë elektrike që çojnë në Kosovë.
Gjatë një vizite në minierat e qymyrit në afërsi të termocentraleve të Kosovës, Ministri i energjisë dhe minierave, Ethem Çeku tha se Kosova nuk do të varet nga vullneti politikë i Serbisë.
“Kosova nuk do të mbetet në terr. Kosova nuk do të varet nga qëndrimi politik i qeverisë serbe. Por, Kosova do të varet nga puna e minatorëve dhe puna jonë që jemi duke bërë në miniera. Në asnjë kusht, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërpritet energjia elektrike dhe ne do të kemi energji aq sa do të punojmë ne e jo nga qeveria serbe”, tha ministri Çeku.
Bartja e energjisë elektrike nëpërmjet Serbisë jo rrallë është përcjellë me telashe, por ministri Çeku thotë se nuk është hera e parë që Serbia përpiqet të pengojë Kosovën por dëmi i vetëm që ka shkaktuar është ngritja e çmimit te blerjes së energjisë elektrike. Ai thotë se Kosova ka rrugë të tjera dhe nuk do të varet nga linjat që kalojnë nëpërmjet Serbisë.
“Kemi kontaktuar me qeveritë shqiptare, malazez e maqedonase. Ne kemi arritur t’i krijojmë rrugët, të kemi rrugët e importeve të energjisë elektrike në qoftë se paraqitet nevoja. Mirëpo ne do të bëjmë gjithë çfarë është e mundur që të kemi furnizim të rregullt nëpërmjet blloqeve të Kosovës A dhe B, dhe po ashtu të kemi minierat duke prodhuar dhe ju e shihni që sot minierat janë duke punuar edhe në këto kushte atmosferike të them mjaft të rënda”, theksoi ministri Çeku.
Autoritetet thonë se është krejt e natyrshme që procesi për përmbylljen e statusit të Kosovës do të përballet me sfida, të cilat nuk do të jenë vetëm të Kosovë por edhe të komunitetit ndërkombëtarë meqë me veprime bllokuese Serbia të jetë një shkelëse e të gjitha marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. (ze)