Në Shqipëri debati mbi Prokurorin e Përgjithshme vazhdon të mbetet në qëndër të vëmendjes. Ndërsa përfaqësuesit e të djathtës në pushtet por dhe vetë presidenti Bamir Topi kanë vlerësuar emërimin e zonjës Ina Rama, opozita nga ana tjetër ka sulmuar ashpër kreun e shtetit për mënyrën sesi ai veproi për shkarkimin e ish Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Zonja Ina Rama, 35 vjeç u emërua në këtë post të enjten e kaluar, pas dekretimit të emrit të saj nga presidenti Topi. Zonja Rama vjen nga rradhët e drejtësisë. Së fundmi ajo ka qënë anëtare e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Zëri i Amerikës: Kur e morët ju propozimin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, a e prisnit ju një propozim të tillë?
Kryeprokurorja Rama: Duhet të them se ishte një propozim që nuk e prisja, pavarësisht se puna ime si juriste i ka shërbyer karries sime, kisha investuar në këtë drejtim për të bërë një karrierë në profesionin tim por ky post, sinqerisht ishte jashtë alternativave të mija. Propozimin e kam marrë në rrugë tërësisht institucionale nga Presidenti i Republikës dhe më duhet të ndalem një çaste sepse e shoh të nevojshme që ta falenderoj rishtaz atë jo më shumë për zgjedhjen se sa për motivet dhe qëllimet që ai vuri në prioritet të zgjedhjes që bëri.
Zëri i Amerikës: Pra, kur e morët ju propozimin?
Kryeprokurorja Rama: Nuk më duket se koha është shumë e rëndësishme. Afër momentit të dekretimit.
Zëri i Amerikës: Gjatë momentit të votimit të kandidaturës suaj në parlament nga opozita ka patur akuza se ju jeni përzgjedhur nga klanet brenda partisë demokratike. Cili është reagimi juaj ju lutem?
Kryeprokurorja Rama: Mua më duket se këto akuza mbeten tërësisht të natyrës politike për sa kohë që nuk kanë asnjë bazë të vërtetë, unë do t’i konsideroja hamendësime. E vetmja gjë që mund të them është ajo që përshkrova më lart. Pavarësisht nga çfarë qendrimesh mund të mbajë politika sot për motivet e saj, për mënyrën se si zhvillohet, më duhet ta shpall se absolutisht nuk ekziston një lidhje e tillë, absolutisht një propozim i tillë nuk vjen nga asnjëri prej krahëve të politikës.
Zëri i Amerikës: Atëhere çfarë garancish mund të jepni ju se do të luftoni korrupsionin dhe se nuk do të frenoheni apo ndikoheni nga fakti që u zgjodhët nga e djatha në pushtet?
Kryeprokurorja Rama: Më duhet të precizoj për hir të së vërtetës se nuk e ndjej veten të zgjedhur nga e djathta, e ndjej veten të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm për shkak të numrit të votave, të cilat sipas një matematike të thjeshtë tregojnë që me të vërtetë ka patur një votim përtej spektrit vetëm të djathtë por një votim akoma më përfshirës. Por pavarësisht nga kjo dhe sikur të konsideronim këtë që thoni, unë mendoj që në themel të gjithë punës sime, të gjithë asaj që kam bërë deri më sot dhe të asaj që unë mendoj se do të bëj në të ardhmen ka qenë gjithmonë dhe do të jenë profesionalizmi dhe doja të thoja, jo vetëm unë, por mendoj se edhe të gjithë njerëzit me të cilët unë do të punoj sepse kjo është një detyrë e cila nuk mund të përballohet e vetme.
Zëri i Amerikës: Zonja Rama a ju shqetëson fakti që ky post ka qënë gjithmonë nën presionet e politikës?
Kryeprokurorja Rama: Kjo është historia e këtij institucioni. Në të vërtetë unë nuk mund t’i heq asnjë presje asaj çfarë ka ndodhur me këtë institucion. Vizioni im lidhur me presionin apo ndikimin që mund të ketë politika mbi këtë institucion i vetmi i tolerueshëm do të thoja është deviza e përbashkët për një luftë kundër kriminalitetit. Në fund të fundit edhe politika në programet e saj aspiron për një shoqëri të pastër, civile, të ndërtuar mbi norma demokratike dhe jo krimin. Në këtë drejtim edhe institucioni që unë do të drejtoj ecën në një linjë. Është e vetmja mënyrë me të cilën politika mund të ndikojë mbi institucionin që unë drejtoj.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, çfarë mungon në drejtësinë shqiptare ku ka ngecur puna kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?
Kryeprokurorja Rama: Mendoj se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është një luftë që mund të bëhet vetëm nga një institucion. Është një sfidë e gjithë shoqërisë shqiptare dhe e gjithë shtetit shqiptar në kohët në të cilën jetojmë. Në këtë kuptim mendoj se institucioni që unë drejtoj, prokuroria pra, organi i akuzës, është shumë e rëndësishme që të bashkërendojë punën e saj, të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit, duke i dhënë prioritet Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, organeve të tjera të drejtësisë, shërbimit informativ kombëtar si dhe institucioneve të tjera homologe dhe organizmave të huaja që funksionojnë për të njëjtin qëllim.
Zëri i Amerikës: Parlamenti ka kërkuar që prokuroria të japë faktet dhe provat mbi akuzat e ngritura prej saj për çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Kjo është një çështje që ka marrë edhe një ngarkesë të madhe politike. A ju shqetëson fakti që do të merreni me një çështje kaq delikate që në fillim të punës suaj?
Kryeprokurorja Rama: Jo. Mendoj që kjo është pjesë e punës që unë kam marrë përsipër të përballojë dhe normalisht në lidhje me këtë çështje që është një çështje konkrete nuk do të preferoja të flisja në këtë intervistë pasi që njohja ime për të është mediatike deri tani. Duhet t’ja lëmë kohës qoftë edhe një përgjigje institucionale lidhur me këtë çështje.
Zëri i Amerikës: A është e saktë të thuhet që do të merreni me këtë problem, a është ky prioritet i punës suaj?
Kryeprokurorja Rama: Do të merrem me të gjitha problemet që janë të nevojshme dhe janë objekt i funksionimit të institucionit të akuzës, sigurisht pa lënë asgjë jashtë trajtimit.
Zëri i Amerikës: Një problem mbetet krimi i organizuar në Shqipëri. Çfarë mendoni ju se duhet të bëjë prokuroria për t’u përballur dhe për të qënë në krye të kësaj lufte.
Kryeprokurorja Rama: Prokuroria e Përgjithshme është maja më e lartë e organit të akuzës, por i gjithë organi i akuzës funksionon në bazë të normave ligjore që përcakton kushtetuta dhe dispozitat e tjera të dala në zbatim të saj. Organit të akuzës nuk i duhet gjë tjetër veçse të zbatojë me përpikmëri ato të drejta dhe ato detyrime që ligji i ka përcaktuar për këtë qëllim.
Zëri i Amerikës: Për çështjen e prokurorit, a mendoni se duhet të ketë një mandat të përcaktuar kohor?
Kryeprokurorja Rama: Mendoj që ky është një problem që i përket gjithë reformës, është pjesë e reformës në drejtësinë shqiptare dhe mendoj që do të jetë pjesë e diskutimeve dhe do të jetë kuvendi i Shqipërisë që do ta zgjidhë atë përfundimisht. Nuk mendoj se jam personi adapt dhe pikërisht në momentin që ne flasim për të dhënë një përgjigje të saktë në lidhje me çështjen. //rd//