Industria botërore e naftës dhe sfidat e vështira me të cilat përballet

Shumë ekspertë të energjisë thonë se rritja e kërkesës në botë, si edhe sulmet ndaj objekteve të naftës dhe ndërprerjet e furnizimit, kanë kontribuar në rritjen e çmimit të naftës së papërpunuar deri në afro 100 dollarë për fuçi këtë vit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jela de Franceschi i hedh një vështrim sfidave me të cilat po përballet industria e naftës për të ruajtur infrastrukturën e vet në vende armiqësore ndaj interesave perëndimore apo të ekspozuara ndaj trazairave politike dhe terrorizmit.

Shumë analistë thonë se garantimi i naftës nuk ka qenë ndonjëherë i thjeshtë dhe ky problem nuk është diçka a panjohur për industrinë. Për dekada me radhë, prodhuesve të naftës u është dashur të përballen me luftën guerrilase dhe atë civile, sabotazhin dhe vjedhjet në shumë zona të pasura me energji, përfshirë Kolumbinë, Angolën dhe Lindjen e Mesme.

Megjithëse kompanitë ia kanë dalë me sukses që të sigurojnë rezerva të vazhdueshme nafte dhe t’i ruajnë objektet e tyre, shumë ekspertë të energjisë thonë se rreziqet ndaj industrisë së naftës janë rritur vitet e fundit.

Në vitin 2004, për shembull udhëheqësi i al-Kaidës Osama bin Laden u bëri thirrje ekstremistëve myslimanë që të sulmojnë objektet e naftës sa herë që të kenë mundësi: Gal Luft është Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Analizën e Sigurisë Globale. “Më përpara kishte sulme ndaj naftësjellësve, por nuk ishte si epidemi siç është kthyer tani. Që pas 11 shtatorit, gjendja ka ndryshuar jashtë mase. Shumica e sulmeve ndodhin në vendet nga nxirret nafta në Afrikë, në rajonin e Kaspikut dhe Lindjen e Mesme sepse atje dihet që veprojnë terroristët dhe aty mund të shkaktojnë dëmet më të shumta”. Luft thotë se të gjitha vendet e Lindjes së Mesme janë të shqetësuara për dhunën, por analistët e industrisë po e vëzhgojnë nga afër Arabinë Saudite dhe Irakun.

Arabia Saudite ka një nga sistemet më të sofistikuara për sigurinë e energjisë në botë, ndërsa shumë ekspertë të sigurisë vënë në dukje se në Irak, vendi me sasinë e dytë më të madhe të rezervave të naftës në botë, gjendja e sigurisë është kaotike.

Analistja Amy Jaffe e Univeristetit Rice në Houston të Teksasit thotë se sulmet në Irak përfshijnë vrasjen e zyrtarëve të sigurisë së naftës, dëmtimin e naftësjellësve që ushqejnë terminalet e Gjirit Persik dhe plaçkitjen e objekteve të naftës. “Paisjet për prodhimin e naftës janë të kushtueshme. Mund të jenë që nga tubat e brendshëm të naftës që përcjellin energjinë për të operuar pompat e naftës deri tek kompjuterizimi që përdoret për prodhimin e naftës. Në Irak, edhe thjesht ruajtja e tubave, gjeneratorëve dhe sistemit kompjuterik, është një sfidë e madhe”. Në vende të tjera si Nigeria, Rusia dhe disa vende të pasura me naftë të Azisë Qendror, shpesh vihen në shënjestër naftësjellësat. Zonja Jaffe thotë se në raste të tilla mund të shpohet tubacionet dhe të vidhet nafta e cila shitet në tregun e zi.

Ndërsa Gal Luft i Institutit për Analizën e Sigurisë Globale, thotë se këto mund të duken si gjëra të parëndësishme, por shtohen pak nga pak dhe arrijnë një 1 milionë fuçi në ditë që mund të ishin në treg. “Po të kishim sot edhe 1milion fuçi nafte në ditë në treg, shanset janë që çmimi i naftës të bjerë në mënyrë të konsiderueshme. Brenda çmimit të naftës është parashikuar edhe një pjesë që shtohet për rreziqet e mundshme. Bëhet fjalë për 10-15 dollarë për fuçi”.

Sabotazhi në rafineritë e naftës është shpesh i motivuar politikisht, si për shembull në vende si Nigeria. Vitet e fundit, edhe vende perëndimore të qëndrueshme kanë rritur masat për sigurinë e energjisë. Greg Stringham është nënpresident i Shoqatës Kanadeze të prodhuesve të naftës, që përfaqëson 95 për qind të industrisë së naftës dhe gazit në kanada e cila kap shifrën 100 miliardë dollarë në vit. Ai thotë se ruajtja e naftës dhe prodhime të lidhura me të nga sulmet terroriste është bërë një shqetësim serioz për prodhuesit e naftës. “Qeveria kanadeze dhe ajo amerikane punojnë së bashku për tçë garantuar që të gjitha informatat dhe incidentet ku edhe thjesht përmenden fjalët, Kanada, naftë dhe terrorizëm të kapen dhe të përcillen më tej në mënyrë që njerëzit ta dinë se çfarë po ndodh në shkallë ndërkombëtare. Hera-herës Kanadaja përmendet si një nga vendet kryesore që eksporton naftë në Shtetet e Bashkuara në korrespondencën e al-Kaidës. Ne i ndjekim ato me shumë kujdes”. Disa ekspertë e krahasojnë tregun aktual ndërkombëtar të naftës me një makinë pa amortizatorë. Sa herë që përplaset me ndonjë pengesë në rrugë, pasagjerët e ndjejnë. Shumë analistë thonë se rruga do të vazhdojë të jetë me pengesa përsa kohë sulmet ndaj objekteve të naftës vazhdojnë dhe vendet të mbështeten tek nafta për energji. //rd//