Korea e Veriut përpiqet të provojë se nuk ka synuar kurrë të prodhojë uranium të pasuruar

Një gazetë amerikane shkruan se Korea e Veriut po përpiqet të provojë se nuk ka synuar kurrë të prodhojë uranium të pasuruar për armë bërthamore.

Gazeta Washington Post në numrin e sotëm citon zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe të Koresë së Jugut sipas të cilëve Korea e Veriut u ka dhënë mundësi ekspertëve amerikanë të shikojnë pajisje dhe dokumente rreth kësaj çështjeje për të përgënjeshtruar akuzat e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni e akuzon Korenë e Veriut se ka një program për pasurimin e uraniumit, përveç atij për pasurimin e plutoniumit, programe të cilat synojnë prodhimin e një arme bërthamore që u testua në tetor të vitit 2006.

Zyrtarë amerikanë dhe të Koresë së Jugut nuk kanë bërë komente rreth artikullit në Washington Post. Gazeta thotë se përpjekjet e tanishme të Koresë së Veriut po bëhen për të bindur Shtetet e Bashkuara që të heqë sanksionet kur Peniani të deklarojë me hollësi programin e tij bërthamor. Deklarata e cila është pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare për çarmatimin, pritet të publikohet brenda një apo dy javësh. //rd//