Tiranë: Zyrtari i Ministrisë së Punës nën pranga

Në Shqipëri një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale dhe dy persona të tjerë u arrestuan sot nën akuzën e korrupsionit .

Operacioni i policisë i koduar "Rikonstruksioni" u realizua në mesditë kur u vu nën pranga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, Spartak Gjini, një zyrtar i prokurimeve Llambi Tarka si dhe pronari i një shoqërie ndërtimi.

Sipas policisë, të dy funksionarët e arrestuar dyshohen se në këmbim të përfitimeve të paligjshme, kanë paracaktuar fitues të një tenderi për rikonstruksionin e ndërtesës së ministrisë, firmë "Siret" që i përkiste të arrestuarit të tretë Fiqiri Pali, duke detyruar firmat e tjera të heqin dorë nga konkurrimi.

Muajt e kaluar, po për çështje korrupsioni, u arrestuan disa zyrtarë të minisrisë së Transporteve dhe funksionarë të Tatimeve e të kompanisë Albpetrol. //rd//