Shtetet e Bashkuara vendosin sanksione të reja kundër ushtrisë iraniane

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja kundër Iranit për të rritur presionin ndaj Teheranit që të ndërpresë veprimtaritë e tij bërthamore, të cilat mendohet se kanë lidhje me prodhimin e armëve, dhe t’i japë fund përkrahjes ndaj terrorizmit.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondolisa Rice dhe Sekretari i Thesari Henry Paulson i shpallën sanksionet sot në Uashington. Zonja Rice tha se vendimi ishte nxitur nga refuzimi i Iranit për t’iu nënshtruar kërkesave ndërkombëtare që Teherani të ndërpresë atë që ajo e quajti fushatë për armë bërthamore. Irani i ka mohuar akuzat, duke thënë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Sanksionet e reja përfshijnë përcaktimin e ministrisë iraniane të mbrojtjes dhe Trupave të Gardës Revolucionare si përhapës të armëve të shkatërrimit në masë dhe elitën e forcës al-Quds si përkrahës të terrorizmit për mbështetjen materiale ndaj grupeve terroriste duke përfshirë Hezbollahun në Liban dhe Talibanin në Afganistan.

Sanksionet përfshijnë gjithashtu masa që synojnë izolimin e tre bankave iraniane dhe më shumë se 20 entiteve, duke përfshirë individë dhe kompani. Kufizimet ngrijnë çdo pronë që mund të kenë palët në fjalë nën jurisdiksionin amerikan dhe ndalojnë çdo shtetas amerikan apo organizatë të bëjë biznes me ta. //rd//