Gjenerali Sançez: Gjendja në Irak “një ëndërr e keqe dhe pa fund”

Një ish komandant i ushtrisë amerikane në Irak kritikoi ashpër administratën e presidentit Bush për menaxhimin e luftës në Irak duke thënë se situata aktuale është “një ëndërr e keqe dhe pa fund në horizont.” Gjeneral Lejtnanti në pension Rikardo Sançez tha të premten se strategjia aktuale, duke përfshirë edhe shtimin e rreth 30 mijë trupave, është një përpjekje e dëshpëruar për t’u përballur me realitetin e luftës.

Gjenerali në pension e quajti planin fillestar të luftës me të meta katastrofike dhe me një optimizëm të pabazë. Ai tha se strategjia jokompetente e udhëheqësve të vendit është për të ardhur keq. Administrata e presidentit Bush nuk ka reaguar ndaj deklaratave të gjeneralit Sançez por tha vetëm se e falenderonte atë për shërbimin ndaj vendit. Shtëpia e Bardhe e pranon se mbetet shumë për t’u bërë por shtoi se ishte bërë progres.

Gjenerali Sançez tha se administrata duhet tu kishte dhënë më shumë kompetenca komandantëve ushtarakë dhe të koordinonte punën e agjensive të ndryshme shtetërore. Ai gjithashtu fajësoi udhëheqjen ushtarake, duke përshirë edhe veten e tij, se nuk e kishin kuptuar se çfarë ndikimi do të kishte ndërhyrja amerikane në shoqërinë irakiane.//kk//