CIA fillon një kontroll të brendshëm

Dy gazeta kryesore amerikane shkruajnë se CIA ka filluar një kontroll të brendshëm, për zyrën që inspekton brenda vetë radhëve CIAs.

Gazetat Nju Jork Tajms dhe LA Tajms, shkruajnë se kontrolli i pazakontë bëhet në një kohë, që zyra e pavarur e Inspektorit të Brendshëm tek CIA, po kryente hetime intensive të disa programeve të debatueshme të agjencisë. Programet kanë të bëjnë me trajtimin dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm, si dhe me arrestimet sekrete të këtyre të dyshuarve në vende të tjera.

Një zëdhënës i CIA-s tha se drejtori i agjencisë, i cili sipas gazetave ka dhënë urdhër për kontrollin e fundit, ka respekt të madh për zyrën e Inspektorit të Brendshëm. CIA drejtohet nga gjenerali Majkëll Hajden. Zyrën e Inspektorit të Brendshëm e drejton Xhon Helgerson.

Të dyja gazetat shkruajnë se shumë punonjës të agjencisë thonë se hetimet e Inspektorit të Brendshëm kanë dëmtuar moralin dhe kanë penguar karierat e tyre.

Artikulli citon zyrtarë të paidentifikuar të CIA-s të cilët thonë se hetimet e Inspektorit të Brendshëm, që po vazhdojnë prej vitesh, janë kthyer në një barë financiare për shumë punonjës, të cilët janë detyruar të mbajnë avokat mbrojtës. //iç//