Shqipëria miraton marrëveshjen për lehtësimin e vizave për në BE

Qeveria e Shqipërisë miratoi marrëveshjen e arritur me Komisionin Europian në shtator të këtij viti për lehtësimin e regjimit të vizave hyrëse për në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Marrëveshja parashikon thjeshtimin e procedurave, shkurtimin e kohës për lëshimin e vizave dhe uljen e tarifës në 35 euro. Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, Bashkimi Europian po e zgjeron edhe për 9 vende anëtare marrëveshjen e Shengenit për udhëtimet pa vizë. Rregullat e reja nxirren ndërkohë që po afrojnë festat e Krishtlindjes.

Duke filluar nga 21 dhjetori, qytetarët e Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Maltës, Polonisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë, do të mund të kalojnë kufijtë tokësorë të Bashkimit Europian pa patur nevojë të paraqesin viza ose pasaporta.

Rregullat do të aplikohen më vonë edhe për aeroportet. Këto nëntë vende plus Qipron u anëtarësuan në Bashkimin Europian në vitin 2004. Qiproja ka në plan që në të ardhmen të bëhet pjesë e zonës së Shengenit.

Nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, vetëm Irlanda dhe Britania nuk marrin pjesë në Marrëveshjen e Shengenit, duke preferuar t’i vendosin vetë rregullat në kufijtë e tyre. Në zonën e Shengenit përfshihen edhe Islanda, Norvegjia dhe Zvicra, vende jo anëtare të Bashkimit Europian. //ii