Zgjedhjet Presidenciale 2004: Xhorxh W. Bush përballë Xhon Kerit

  • Xherilin Uatson

Çdo 4 vjet, partitë politike në Shtetet e Bashkuara emërojnë kandidatët e tyre për president dhe nën-president. Në verë të vitit 2004, delegatët e Partisë Republikane zgjodhën Xhorxh W. Bushin dhe Dik Çenin për një mandat të dytë 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, popullariteti i presidentit Bush ishte në nivel rekord. Anketat e opinionit tregonin se 90 për qind e amerikanëve miratonin mënyrën se si presidenti bënte punën e tij, por me kalimin e kohës, ky popullaritet ra ndjeshëm. Sipas një organizate sontazhesh, mbështetja e publikut amerikan për presidentin Bush ishte mesatarisht 50 për qind. Ja disa nga pikat kryesore të fushatës elektorale të vitit 2004.

Para zgjedhjeve të përgjithshme presidenciale, kandidatët konkurojnë në zgjedhje shtetore dhe kandidati që fiton më shumë vota tradicionalisht fiton emërimin e partisë për të konkuruar për Shtëpinë e Bardhë.

Tradicionalisht, presidenti në mandatin e parë, mer emërimin e partisë edhe për një mandat të dytë, kështu që presidenti Bush ishte kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e vitit 2004.

Ndërsa për të fituar emërimin e Partisë Demokrate, 10 kandidatë bënë fushatë në vitin 2003. Mes kandidatëve ishte Xhon Keri, senator nga Masaçusets. Një tjetër ishte Hauërd Diin, mjek dhe ish guvernator i shtetit të Vermontit; Xhon Eduards, avokat dhe senator në mandatin e parë nga Karolina e Veriut. Kandidoi edhe senatori nga Kenetikat, Xhozef Liberman, kandidati për nën-president në zgjedhjet e vitit 2000.

Ish nën-presidenti Al Gor nuk ishte mes kandidatëve. Ai kishte humbur zgjedhjet e vitit 2000 kundër Xhorxh W. Bushit me një rezultat tepër të ngushtë, i cili më në fund u konfirmua nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara.

Shumë njerëz kishin menduar se Hauërd Diin do të fitonte emërimin e Partisë Demokrate. Zoti Diin e kundërshtoi hapur luftën në Irak; ai u vlerësua për mënyrën se si grumbulloi para për fushatën e tij. Përkrahësit i dhanë atij milion dollarë në dhurata të vogla nëpërmjet Internetit.

Në zgjedhjet paraprake të shtetit Ajova, hapi i parë ky në procesin e emërimit të kandidatit presidencial, në janar të vitit 2004, Xhon Keri fitoi 38 përqind të delegatëve të shtetit. Senatori Eduards doli i dyti me 32 përqind, kurse Dr. Diin zuri vendin e tretë me vetëm 8 për qind të delegatëve.

Senatori Keri vazhdoi të shtonte mbështetjen në zgjedhjet paraprake nëpër shtetet amerikane. Disa kandidatë u tërhoqën nga gara, përfshirë edhe Hauërd Diin. Senatori Eduards u tërhoq nga gara në mars 2004, pasi senatori Keri fitoi zgjedhjet paraprake në 9 shtete në të njëjtën ditë, që njihet edhe si Super e Marta. Xhon Keri emëroi Xhon Eduards si kandidat për nën-president. Senatori Keri siguroi zyrtarisht emërimin e Partisë Demokrate për president në kuvendin e partisë në Boston të shtetit Masaçusets.

Ata balancuan njeri tjetrin për dyshen e mundshme demokrate për në Shtëpinë e Bardhë. Senatori Keri nga pjesa lindore e vendit konsiderohej liberal, ndërsa senatori Eduards i moderuar nga jugu. Senatori Keri është katolik dhe zoti Eduards protestant.

Kandidatët presidencialë zhvilluan 3 debate, që u transmetuan në televizion. Ata bënë fushatë në mbarë vendin. Politika e jashtme ishte një çështje e rëndësishme gjatë fushatës. Zoti Bush e përqëndroi fushatën tek sigurimi kombëtar. Ai thoshte se ishte kandidati më i mirë për ta mbajtur Amerikën të sigurtë nga terroristët. Ai e paraqiti veten si një udhëheqës të vendosur dhe e akuzonte senatorin Keri se kishte ndryshuar qëndrim mbi çështje të ndryshme dhe se përballë rreziqeve nuk do të ishte i sigurtë si të vepronte.

Më 2002, zoti Keri votoi për t’i dhënë presidentit Bush kompetenca për të përdorur forcën kundër Irakut. Por më pas, senatori kritikoi konfliktin në atë vend. Deri në vjeshtë të vitit 2004, mbi 2 mijë amerikanë kishin humbur jetën në Irak që prej fillimit të luftës në mars të vitit 2003. Edhe mijëra civilë irakianë ishin vrarë. Gjatë fushatës, senatori Keri foli lidhur me luftën në Irak.

“Ne duhet të jemi në gjendje t’i shikojmë drejt në sy prindërit e të vrarëve dhe t’u themi: ‘Bëra çdo gjë që kisha në dorë për të parandaluar humbjen e djalit apo vajzës tënde’. Unë nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara e bënë këtë”, tha senatori Keri.

Senatori thoshte se objektivi i tij ishte që Shtetet e Bashkuara të ishin më të fuqishme, e më të respektuara nëpër botë. Ai mendonte se Amerika e kishte humbur respektin e aleatëve për shkak të politikës së presidentit Bush në Irak.

Presidenti Bush mbronte veprimet e Amerikës në Irak. Ai thoshte se lufta ishte e nevojshme për të luftuar terrozimin. Ai shprehte gjithashtu kënaqësi që irakianët ishin të lirë nga një diktator brutal.

Senatori Keri thoshte se ekonomia amerikane duhej të rimëkëmbej më shpejt, ndërkohë që presidenti Bush vlerësonte administratën e tij për masat e dobishme që kishte marrë në ato kohë të vështira ekonomike pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

“6 muaj para se të filloja nga detyra, tregu i aksioneve filloi të binte, duke shënuar një prej rënieve më të mëdha në historinë tonë. Pastaj u përballëm me një ngadalsim ekonomik dhe me sulmet terroriste, që shkaktuan humbjen e 1 milion vendeve të punës. Por ne vepruam. Unë kryesova kongresin. Ne miratuam ligjin e ri të taksave dhe tani ekonomia po zhvillohet. Gjatë 13 muajve të fundit kemi shtuar 1 presje 9 milion vende të reja pune”.

Presidenti Bush propozoi një plan për punëtorët e rinj që një pjesë e rrogës së tyre të futej në llogari private pensioni. Xhon Keri e kundërshtoi këtë ide. Zoti Bush kundërshtoi të gjitha masat në mbështetje të abortit pa rekomandim mjeku. Senatori Keri mbështeti të drejtën e gruas për abort. Për këtë çështje, qëndrimi i tij binte ndesh me qëndrimin e fesë katolike.

Në fillim të fushatës elektorale, një organizatë veteranësh të luftës së Vietnamit doli kundër zotit Keri. Ky grup kryesohej nga një veteran, i cili, si zoti Keri, mori pjesë në luftën e Vietnamit. Veteranët e luftës së Vietnamit vunë në pikpyetje aftësitë e zotit Keri për të shërbyer si president dhe komandant i forcave të armatosura për shkak të disa deklaratave rreth shërbimit të tij ushtarak dhe kritikave në adresë të luftës së Vietnamit. Ky grup madje vuri në pikpyetje medaljet e luftës, që i ishin dhënë zotit Keri.

Veteranë të tjerë lufte, përfshirë edhe disa që kishin shërbyer me senatorin Keri, i dënuan këto akuza, duke i cilësuar si krejtësisht false. Shumë njerëz mendojnë se këto akuza dhe vonesat e fushatës së zotit Keri për t’iu përgjigjur atyre patën një ndikim të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve.

Më 2 nëntor të vitit 2004, amerikanët votuan dhe ashtu si në zgjedhjet e vitit 2000, pati probleme gjatë procesit të zgjedhjeve dhe pas tij. Rezultati ishte veçanërisht i ngushtë në shtetin e Ohajos. Por të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, senatori Keri vendosi të mos e kundërshtonte rezultatin në Ohajo. Rezultatet përfundimtare treguan se mes zgjedhësve amerikanë, 51 për qind e tyre kishin votuar për zotin Bush dhe 48 përqind për senatorin Keri.

Më 20 janar 2005, Xhorxh W. Bush filloi mandatin e tij të dytë 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, i cili me kushtetutë është edhe mandati i tij i fundit, që përfundon më 20 janar të vitit 2009. (ze)