Presidenti Bush emëron Prokurorin e Përgjithshëm

Presidenti Bush emëroi një ish gjykatës federal për në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara. Shtëpia e Bardhë shpreson që ky emërim të jetë hapi i parë drejt përfundimit të debateve dhe polemikave partiake disa mujore, që kishin të bënin me departamentin e drejtësisë.

Kandidati i emëruar nga presidenti Bush, Majkëll Mukejsi shërbeu për 18 vjet si gjykatës i distriktit jugor të Nju Jorkut, ku ai kryesoi gjyqin e Sheikut Omar Abdel Rahman, të cilin gjykatësi Mukejsi e dënoi me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në shpërthimin më 1993 në Qendrën Botërore të Tregëtisë.

Duke prezantuar gjykatësin në Oborin e Trëndafilave, presidenti Bush e vlerësoi zotin Mukejsi si një gjykatës me shumë njohuri rreth çështjeve të sigurimit kombëtar. “Gjykatësi Mukejsi e ka fare të qartë kërcënimin me të cilin përballet vendi ynë. Si gjykatës dhe avokat, ai ka shkruar rreth çështjeve kushtetutore dhe ato të sigurimit kombëtar. Ai e di fare mirë se si zhvillohet me më efektshmëri lufta kundër terrorizmit, madje ai e di fare mirë si ta zhvillojë këtë luftë në përputhje me ligjet tona”.

Presidenti Bush bëri thirrje për konfirmimin e shpejtë nga Senati amerikan të kandidaturës së 66 vjeçarit Mukejsi, të cilin ish presidenti Ronald Reagan e emëroi prokuror federal më 1987. Në fjalën që mbajti pasi u prezantua nga presidenti, gjykatësi Mukejsi vuri në dukje sfidat e reja me të cilat përballet Amerika e pas 11 shtatorit 2001. “Para më pak se një jave, ne përkujtuam një përvjetor të hidhur që na kujton, nëse me të vërtetë kemi nevojë të kujtohemi, se sa kanë ndryshuar sfidat, që na duhet të përballojmë. Por detyra për të ndihmuar në mbrojtjen e shoqërisë tonë, që Departamenti i Drejtësisë ndan me pjesën tjetër të qeverisë tonë, nuk është e vetmja detyrë para nesh. Departamenti i Drejtësisë duhet të mbrojë gjithashtu sigurinë e fëmijëve tanë, tregëtinë, që siguron begatinë tonë si dhe të drejtat e liritë, që janë karakteristike për ne si komb”. Në komentet e tij, presidenti Bush vlerësoi punën e ish prokurorit të përgjithshëm Alberto Gonzales, i cili shikohet si një person që nxiti interesat partiake në punën e Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Gonzales dha dorëheqjen muajin e kaluar pasi u përball me kritika nga demokratët dhe disa republikanë për opinionet e tij që t’i jepte presidentit autoritet të pakufizuar në çështje ligjore në luftën kundër terrorizmit si dhe për debatet e shkaktuara si rezultat i shkarkimit në masë të prokurorëve federalë.

Kandidati i ri i presidentit ka tashmë disa mbështetës mes demokratëve, përfshirë edhe senatorin nga Nju Jorku, Çarls Shumër, i cili vlerësoi angazhimin e zotit Mukejsi për t’i qëndruar besnik sundimit të ligjit. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se presin që zoti Mukejsi të jetë një udhëheqës i mirë, i cili do të ngrejë moralin në Departamentin e Drejtësisë. //rd//