Muaji i Ramazanit filloi në rrethana unike për myslimanët

Muaji i shenjtë i Ramadanit, muaji i 9 në kalendarin mysliman ka filluar. Myslimanët në të gjithë botën kanë hyrë në një muaj agjërimi dhe reflektimi. Myslimanët dhe një herë filluan muajin e ramazanit nën rrethana unike, këtë herë fillon gati në të njëjtën kohë me 6 vjetorin e akteve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 që u kryen në emër të Islamit.

Me këtë rast, Presidenti Bush u dërgoi përshëndetje myslimanëve që respektojnë ramazanin duke thënë se kultura e Shteteve të Bashkuara është pasuruar nga qytetarët e tyre myslimanë.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 6 milion myslimanë. Imam Elahi, nga qyteti Dearborn Heights në shtetin e Miçiganit, tha se shpreson se besimtarët e feve të tjera të dëgjojnë ato që thotë Presidenti.

“Islami është një besim i paqes dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka thënë më shumë se një herë se Islami është një besim i paqes. Ne duhet të vazhdojmë të krijojmë lidhje, sepse ashtu siç thuhet, ashtu duhet të veprohet. Kjo do të ndihmojë në vendosjen e një komunikimi më të mirë midis Shteteve të Bashkuara dhe botës islamike, duke u mbështetur në paqe, drejtësi dhe respekt”.

Zoti Elahi tha se sipas Kuranit, dhe mësimeve të profetit Muhamed, siç janë pasuar tek gjeneratat e myslimanëve, dënimi i terroristëve dhe terrorizmit është i padiskutueshëm dhe pa rezerva.

Sipas tij, Ramazani ka një dimension shpirtëror, që është i njohur midis të gjitha besimeve që besojnë në një Zot, një dimension që mund të bëhet burim i fuqishëm për solidaritet midis të gjitha besimeve.

Imami tha se kjo lidhje mund të bëjë që njerëzit të përballojnë stuhinë e terrorizmit dhe të keqen e luftës. Ai tha se paqja mund të mos vijë nëpërmjet dhunës, por nëpërmjet fuqisë së dëshirës njerëzore që varet vetëm nga Zoti.

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, myslimanët në moshë të rritur, fillojnë agjërimin. Ata e shikojnë agjërimin si një mënyrë për të pastruar shpirtin nga mëkatet, egoizmi, pakënaqësia, padurimi dhe hipokrizia. Ata besojnë se agjërimi bën që njerëzit të jenë mirënjohës për ato që kanë dhe të ndjejnë vuajtjet e të tjerëve.

Origjina e myslimanizmit njihet që në vitin 640 të kohës sonë. Sipas traditës, Muhamet bin-Abdallah, një anëtar i elitës së fisit Kurash nga Meka, mori një urdhër hyjnor në “Natën e Fuqisë” në muajin e Ramazanit.

Agjërimi i përditshëm, dhënia e lëmoshës, haxhillëku në Mekë, njohja e një zoti të vetëm dhe misioni i Muhametit, si i dërguari i zgjedhur nga Zoti, përbëjnë 5 pikat kyçe të Islamit.

Myslimanët besojnë në Kurani thekson arësyen, kërkimin e pafund të së vërtetës, vëzhgimin e kujdesshëm, e meditimin. Në procesin e kërkimit të besimit, myslimanët gjetën shenjat dhe qartësinë që të drejton tek Zoti, si një e vërtetë e përjetshme dhe burim i ekzistencës.

Kërkimet rreth fesë islamike u bënë themel për kërkime shkencore. Zbulimet e bëra nga studiues të hershëm islamikë çuan në përparimin e shkancave të natyrës, matematikës, mjeksisë dhe astronomisë në shekujt e parë të zgjerimit të kësaj feje. Shkencëtarët dhe studiuesit e hershëm islamikë janë vlerësuar edhe për ruajtjen e diturive klasike nga bota e lashtë.

Që atëherë, dallimet fisnore, etnike dhe kulturore kanë zëvendësuar vijën islamike për kërkime të mëtejshme. Por shumë myslimanë modernë janë të bindur se ngritja e gjallërisë së vërtetë islamike do të jetë një forcë pozitive që edhe një herë mund të drejtojë komunitetet e tyre në drejtimin e duhur.

Shumica e myslimanëve të sotëm janë të druajtur se besimi i tyre është njollosur nga terrorizmi dhe dhuna. Imam Elahi tha se “islami është një besim që të predikon mëshirë gjatë muajit të ramazanit dhe gjatë të gjithë vitit”.//kk//