Kosovë: Vazhdon debati rreth ndikimit të zgjedhjeve tek procesi i statusit

A po ndikon dhe a do të ndikojë procesi i zgjedhjeve në atë për zgjidhjen e statusit politikë të Kosovës kjo është çështja e debatuar shumë kohëve të fundit në Kosovë. Mendimet dhe qëndrimet janë nga më të ndryshmet, ndërsa analistët pohojnë se nuk mund të ketë ndonjë ndikim thelbësor, përveç që ai edhe më tej do të jetë në duart e ekipit të unitetit. Analisti Lulzim Peci thotë se ndikimi i procesit të zgjedhjeve do të jetë në një masë të caktuar.

Po nuk ma merr, sepse të gjitha forcat politike në Kosovë duke përfshirë në një masë të madhe edhe ato që nuk kanë qenë të prezantuara në Parlament, qëndrojnë prapa pakos së Ahtisaarit, kështu që platforma është e qartë për sa i përket përfundimit të statusit dhe modelit të saj. Ndërsa në anën tjetër kjo do të ndikojë vetëm në angazhimin e njerëzve”, thotë ai.

Udhëheqësit politikë në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se 10 dhjetori do të jetë fundi i negociatave shtesë për statusin e Kosovës, por nuk janë të një mendjeje për veprimet që duhet të ndërmarrin pas kësaj date, nëse duhet të shpallet pavarësia e Kosovës pavarësisht zhvillimeve rreth negociatave apo të pritet një shenjë e qartë nga Washingtoni dhe Brukseli. Kryeministri i Kosovës Agim Ceku ka deklaruar se pas kësaj date Parlamenti i Kosovës duhet të shpallë pavarësinë, ndërsa presidenti i vendit Fatmir Sejdiu tha se nuk ka një vendim të tillë në ekipin e negociuesve të Prishtinës i cili tashmë njihet si ekipi i unitetit.

Analisti Lulzim Peci thotë se është herët të deklarohet se çfarë do të ndodhë pas dhjetë dhjetorit dhe se duhet pritur të dihet se çfarë raporti do t’i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara nga treshja e grupit të kontaktit që drejton negociatat shtesë dhe pas kësaj të shqyrtohen vendimet që duhet të marrë Prishtina. Këto vendime thotë ai duhet të jenë të përgjegjshme dhe që do të ndihmojnë krijimin e shtetit me pasoja sa më të vogla. Ai nuk beson se dhjetë dhjetori është fundi i procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Jo, definitivisht jo. Unë pres që ky proces do të kthehet edhe njëherë në Kombet e Bashkuara. Ndoshta do të ketë përpjekje edhe për një rezolutë të re dhe tek pastaj unë shohë që statusi i Kosovës do të merre formën e vet edhe juridike, qoftë me shpalljen nga ana e Kosovës, që duhet të ndodhë patjetër, ose me një Rezolutë të Kombeve të Bashkuara, tek në vitin e ardhshëm, në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”, thekson ai.

Negociatat shtesë për statusin e Kosovës pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në Londër ku delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen ndarazi me treshen e Grupit të Kontaktit, takime këto që duket se janë më shumë në funksion të përgatitjeve për takimin e parë të drejtpërdrejtë kah fundi i shtatorit në Nju Jork. //kk//