Po të shërbehemi me një fjalë të urtë popullore shqiptare, atëherë zhvillimet aktuale në politikën e brendshme në Kosovë mund të përshkruhen si përpjekje që edhe mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Autoritetet po bëjnë përpjekje që edhe të mbahen zgjedhjet por edhe të mos ndikohet procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Më 12 shtator është afati i fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve të tyre për deputetë të parlamentit, këshilltarë dhe kryetarë komunash.
Listat e hapura dhe pragu zgjedhor prej 5 përqindësh ka bërë që partitë të punojnë në ethe. Ato më të mëdhatë të hartojnë listat duke bërë përpjekje për të shmangur përplasjet e brendshme, ndërsa partitë e vogla që nuk mund të kalojnë pragun zgjedhor në përpjekje për të siguruar një kulm mbi kokë duke u bashkuar me partitë më të mëdha në koalicione parazgjedhore.
Kryetari i partisë reformiste Ora Veton Surroi tha sot se Kosova ndodhet në dy procese paralele dhe tash duhet parë se si të kombinohen ato në të mirë të Kosovës. Çështja e zgjedhjeve, tha ai është detyrim demokratik dhe konsolidim i institucioneve, por statusi politikë është përparësia kryesore. “Dhe unë mendoj se ne kemi një përgjegjësi ndaj qytetarëve të Kosovës për të mbajtur në vëmendje prioritare çështjen e statusit. Asnjë çështje nuk është më e rëndësishme në zhvillimin e jetës së Kosovës sesa çështja e statusit. Çështja e zgjedhjeve është një obligim demokratik, është konsolidim i institucioneve, por kjo nuk do të thotë që ne që do të marrim pjesë në zgjedhje të harrojmë konsensusin dhe harmoninë që duhet ruajtur në ekipin e unitetit” tha ai.
Zoti Surroi i bëri këto komente pas takimit me komandantin e forcave paqeruajtëse gjeneralin francez Xavier Bout de Marnhac, i cili përsëriti qëndrimin se KFOR-i është i vendosur në misionin e tij. “I ritheksova zotit Surroi përkushtimin tim si komandant i KFOR-it për të ruajtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë gjatë këtyre dy proceseve atij të zgjedhjeve dhe atij të zgjidhjes së statusit të Kosovës”, tha gjenerali francez.
Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është përcjellë me shqetësime për shkak të ndikimit që mund të ushtrojnë ato në procesin e zgjidhjes së statusit. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joachim Ruecker ka rezervuar të drejtën që të shtyjë zgjedhjet nëse ato bien ndesh me procesin e statusit apo shfrytëzohen si arsye për shtyrjen e tij.
Ekipi i negociuesve të Prishtinës ka kërkuar që Parlamenti aktual të funksionojë deri dy ditë para votimeve, ndërsa institucionet që do të dalin nga zgjedhjet, të krijohen më së voni dhjetë ditë pas vërtetimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Por, për shumë kë në Kosovë një gjë e tillë është gati e pamundur për shkak të ndryshimeve që janë bërë në mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve që është më e ndërlikuar kërkon më shumë kohë për numërimin e votave dhe vërtetimin e rezultateve. Dhe derisa mbështetësit e zgjedhjeve thonë se përfundimi i negociatave shtesë për statusin duhet ta gjejë Kosovën me institucione të reja të ligjshme, ata të rezervuarit druajnë se përfundimi i negociatave mund ta gjejë vendin me boshllëk institucional. //rd//