NATO-ja thotë se dy ushtarë të aleancës u vranë sot ndërsa patrullonin në Afganistanin Jugor.
Në një deklaratë të NATO-s thuhej gjithashtu se një tjetër ushtar dhe një përkthyes u plagosën. Nuk janë dhënë hollësi të tjera.
Po sot ushtria amerikane në Afganistan thotë se rreth 24 kryengritës u vranë në përleshje me forcat afgane dhe të koalicionit në provincën jugore të Kandaharit.
Ushtria amerikane thotë se kryengritësit u përleshën me patrullat e përbashkëta të trupave afgane dhe të koalicionit në dy zona të ndryshme të Kandaharit, dje vonë. Zyrtarët shtojnë se ushtria ndërmori sulme ajrore kundër pozicioneve të armikut.
Ushtria thotë se forcat e koalicionit dhe afgane kryen gjithashtu luftime me kryengritësit talebanë në provincën Gazni aty pranë sot herët, duke vrarë disa militantë.
Në akte të tjera dhune, dy oficerë policie u vranë në provincën Helmand kur shpërtheu një bombë që ishte vendosur nën një automjet. //ze//